Lidhje

Basha: Sot nisi mosbindja civile


Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje se bllokimi për 60 minuta i disa prej akseve kryesore rrugore kombëtare në të gjithë vendin “është vetëm fillimi i mosbindjes civile”. Në fjalimin e tij përpara mbështetësve të opozitës të cilët ishin grumbulluar në Milot, në aksin ku kalon rruga drejt Veriut të vendit dhe Kosovës, zoti Basha ashpërsoi tonet, kur përsëriti se opozita nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve vendore. “Më 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Ato vetëm zgjedhje nuk janë. Dhe opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Edi Ramës. Ka vetëm një opozitë dhe ajo jemi ne, e bashkuar me popullin, e bashkuar me njerëzit. Nuk do të lejojmë ,me asnjë formë, me asnjë çmim, krimin elektoral. Zgjedhje fallco, zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë më. Mos të lejojmë më krimin elektoral në asnjë qendër të vetëm votimi, por të luftojmë sy për sy e dhëmbë për dhëmbë për votën e lirë”, deklaroi zoti Basha.

Kryetar demokrat theksoi se “Largimi i Ramës është një kusht i panegociueshëm” duke paralajmëruar se sipas tij "krijimi i një qeverie kalimtare është shansi i fundit për të shmangur përplasjen totale të popullit me klikën që sundon në mënyrë të paligjshme”.

Protesta e sotme e opozitës, është e dhjeta që prej muajit shkurt kur PD dhe LSI, braktisën parlamentin duke hequr dorë në bllok nga mandatet e deputetëve të tyre. Në ndryshim nga më parë, këtë herë u zgjodh të bllokoheshin 5 pika kyçe të rrugëve kombëtare të vendit. Drejtuesit e opozitës dhe mbështetësit e saj, u grumbulluan përveçse në Milot, dhe në Elbasan, një nyje e qarkullimit nga Juglindja, e po ashtu dhe në Fier dhe Durrës, ku kalon autostrada që lidh Tiranën me Jugun. Mbështetësit e opozitës penguan gjithashtu qarkullimin dhe në sheshin Shqiponja, një nga portat kryesore hyrëse të kryeqytetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG