Lidhje

Diskutim në Uashington: Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura në Ballkan


"Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor: sfidat kombëtare, rajonale dhe gjeopolitike dhe përgjigja politike dhe strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian" - ishte tema e diskutimit të organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare e Universitetit Johns Hopkins (SAIS), Fondi i Vëllezërve Rockefeller dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan, i zhvilluar të mërkurën në mjediset e këtij instituti. Në takim u tha se ky rajon nuk ka përparuar siç pritej dhe se strategjia e Perëndimit për të ndihmuar është e nevojshme të rishikohet. Diskutimin e ndoqi gazetarja Laura Konda:

Zyrtarë dhe ish zyrtarë, analistë dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare amerikanë dhe europianë zhvilluan një diskutim të gjerë për Ballkanin Perëndimor, që u fokusua kryesisht në tre vende të tij, Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia.

Diskutim për Ballkanin Perëndimor
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00

Tema e diskutimit ishte si mund të zgjidhen çështjet e pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor, një rajon ku Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë investuar shumë në 30 vitet e fundit, por që sipas analistëve, vihen re pak histori suksesi. Ekspertët ishin të mendimit se vendet e këtij rajoni po përjetojnë një periudhë të vështirë, gjatë së cilës është rritur mungesa e besimit te qeveritë e kurruptuara, shpesh të drejtuara nga udhëheqës autokratë, ka papunësi dhe largime masive të rinisë. Në diskutim u fol mbi mënyrat për ta ndihmuar këtë rajon me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, që të përparojë.

Hoyt Yee, ish-Zëvendës Sekretar amerikan i Shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë, shprehu kritika për strategjinë e deritanishme ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se, pas gjithë këtyre dekadave, këto vende nuk ndodhen në pikën ku meritojnë të jenë.

Hoyt Yee, DASH
Hoyt Yee, DASH

“Unë mendoj se duhet të kemi një strategji më të mirë dhe më të efektshme për Ballkanin Perëndimor. Pas gjithë atyre përpjekjeve shumëvjeçare nga diplomatë dhe burra shteti të shkëlqyer, Ballkani Perëndimor nuk është atje ku duhet të jetë. Në kushtet kur ndeshemi me luftra e shumë probleme në botë, Ballkanit nuk i është kushtuar rëndësia e duhur si prej nesh, edhe prej miqve tanë evropianë, edhe pse ky rajon është me një rëndësi të madhe strategjike.” - tha zoti Hoyt Yee.

Pjesëmarrësit debatuan për disa nga çështjet që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura në vendet e Ballkanit Perëndimor, siç është situata në Bosnje, apo rasti i Kosovës, e cila që pas shpalljes së pavarësisë 11 vjet më parë, ndodhet në një gjendje amullie në raport me të ardhmen e saj: Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e saj, ashtu sikurse edhe 5 vende të tjera të BE-së; debati për shkëmbimin e territoreve, apo ndryshimin e kufijve shkaktoi një tjetër ngërç të paparashkuar për vendin dhe e ardhmja e saj evropiane kushtëzohet nga bisedimet me Serbinë, të cilat nga ana e tyre kushtëzohen me heqjen e tarifave doganore ndaj mallrave serbe.

Shpend Ahmeti, Kryetar i Prishtinës
Shpend Ahmeti, Kryetar i Prishtinës

Shpend Ahmeti, Kryetar i Prishtinës, tha se Kosova ka nevojë për një përkushtim më serioz nga Bashkimi Europian. Ai theksoi faktin se qytetarët e Kosovës ende nuk kanë të drejtën për të udhëtuar pa viza në vendet e BE-së dhe tha se vëren lodhje tek organizata europiane:

“Mendoj se duhet të ketë një përkushtim për reforma në Ballkanin Perëndimor. Nuk shohim të ketë një përkushtim nga ana e Bashkimit Europian për zgjerimin me vende të Ballkanit Perëndimor,” - tha zoti Ahmeti.

Sabina Cudic
Sabina Cudic

E të njëjtit mendim ishte edhe Sabina Çudiç, nënpresidente e Nasha Strankas në Boznje Hercegovinë, e cila tha se mungesa e vizionit nga BE-ja ka krijuar në vendin e saj një vakuum që po mbushet nga forca të tjera. Ekspertët në përgjithësi ishin të mendimit se një boshllëk i tillë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka sjellë praninë ruse, kineze dhe të ISIS-it, duke kërcënuar demokracinë në këto vende.

David Shullman, specialist për Kinën në Institutin Ndërkombëtar Republikan, tha se Kina është duke ndjekur një politikë agresive investimesh në Ballkanin Perëndimor, siç është rasti i Serbisë. Këto investime tha ai, shoqërohen me lidhje me politikanë vendas dhe nxisin marrëdhënie korruptive. Zoti Shullman ishte i mendimit se prania e Kinës në Serbi lidhet me faktin që Bashkimi Europian nuk e ndihmon Serbinë.

David Shullman, IRI
David Shullman, IRI

“Nuk ka dyshim që Kina po ushtron influencë negative dhe është duke përhapur korrupsionin në vendet e Ballkanit. Investimi kinez për një hekurudhë të shpejtësisë së lartë që do ta lidhë Beogradin me Budapestin, me Maqedoninë Veriore edhe Greqinë, ka ngecur për shkak të disa elementëve të papranueshëm nga Hungaria, si vend i BE-së. Politikanët serbë e paraqesin këtë projekt si një dhuratë nga Kina, gjë që nuk është e vërtetë.” - tha zoti Shullman.

Heather Conley, Nënpresidente për Europën, Euroazinë dhe Arktikun dhe Drejtoreshë e Programit për Europën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, CSIS, tha se në Ballkanin Perëndimor njrëzit ndjehen të pashpresë dhe të pasigurtë dhe se i duhet dhënë fund gjendjes së status kuosë.

“Ka ardhur koha të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë ne në Perëndim...Duhet të sjellim idetë tona. Por për këtë duhet të kemi vizionin tonë, që kohët e fundit mendoj se ka munguar. Në këtë rajon ne duhet të mbështesim institucionet transparente, llogaridhënëse dhe udhëheqësit që shohin nga komuniteti ndërkombëtar për mbështetje dhe udhëheqje. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur," - tha zonja Conley.

Heather Conley, CSIS
Heather Conley, CSIS

Zonja Conley tha se kur është fjala për Ballkanin Perëndimor, Perëndimi nuk duhet të përqëndrohet thjesht tek synimi që kanë këto vende për t’u anëtarësuar në organizatat transatlantike, NATO dhe Bashkimi Europian, por tek rrugëtimi i tyre drejt arritjes së këtij synimi.

Ekspertët në përgjithësi ishin të një mendimi se rajoni i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi të madhe strategjike për Perëndimin, se ky rajon duhet të dalë përsëri në qendër të vëmendjes dhe duhen shtuar përpjekjet për ta ndihmuar atë të dalë nga ngërçi i krijuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, siç është kriza ku ndodhet aktualisht Bashkimi Europian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG