Lidhje

 Shkodër, vrasja e vëllezërve Bilali, kapen dy të dyshuar


Policia njoftoi të premten se ka identifikuar dhe arrestuar dy përsona nga fshati Mjedë i Bashkisë “Vau Dejës”, të dyshuar si autorët e vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali, ndodhur rreth një muaj më parë, më 30 mars në Lagjen “Kiras” të qytetit të Shkodrës. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, mes të cilëve dhe 26 vjeçari Ibrahim Lici, për të cilin policia thotë se “është i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes”.

Ibrahim Lici është një emër i njohur për policinë e shtetit. Ai është nipi i Fatbardh Licit, i vrarë me 8 gusht të vitit të kaluar në afërsi të banesës, në lagjen Kiras. Gjithashtu, ai është djali i Mustafë Licit, anëtar i këshillit bashkiak në Shkodër dhe drejtues i një partie opozitare, me ndikim lokal, “Mendimi i Djathtë Liberal”.

Arrestimi i dy prej autorëve të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bilali pritet t’i hapë rrugë zbardhjes së një serie vrasjesh, të ndodhura 16 muajt e fundit në qytetin e Shkodrës.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas vrasjes së vëllezërve Bilali, deklaroi nga Shkodra se “tentakulat e krimit të organizuar kanë arritur përsëri të godasin” dhe se pista kryesore, që po ndiqet nga policia për zbardhjen e vrasjeve, është “ajo e larjes së hesapeve”. Ndërsa, rreth një vit më parë, ish Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pati deklaruar se në Shkodër veprojnë 4 grupe kriminale, por pa identifikuar asnjërin prej këtyre grupeve.

Për një kohë të gjatë, grupet kriminale ishin në paqe me njëri tjetrin, pasi kishin ndarë prej kohësh zonat e influencës, të mbështetur, herë nga një grupim politik, e herë nga një tjetër, sipas rotacionit politik.

Por, qetësia mes grupeve u përmbys në 13 janarin e vitit të kaluar, pas një atentati me lëndë shpërthyese të telekomanduar ndaj biznesmenit Lulzim Kulla, kunatit të Fatbardh e Mustafë Licit. Sipas policisë, ai ishte një figurë e njohur e krimit në Shkodër. Në këtë atentat, të kryer fare pranë tregut më popullor të qytetit, mbetën të plagosur 8 përsona, mes të cilëve edhe vetë Kulla.

Ngjarja u pasua nga atentate të njëpasnjëshme ku, deri tani, kanë mbetur të vrarë 9 përsona ndërsa dy të tjerë figurojnë të zhdukur.

Vrasja e biznesmenit Arjan Ferracaku, në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar dhe tronditja e sigurisë në Shkodër ishin arsyet që çuan ne bojkotin e seancën plenare të sesionit të ri parlamentar nga ana e opozitës, përfaqësuesit e së cilës u mblodhën në Shkodër duke denoncuar situatën kriminale në këtë qytet dhe duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin.

Pak ditë më pas një operacion i madh policor, “Oazi”, i shtrirë në Shkodër, Tiranë, Spanjë dhe Roterdam të Holandës, goditi njërin prej grupeve më të fuqishëm, grupin “Bajri”. Të paktën 12 anëtarë të këtij grupi, përfshirë edhe drejtuesit e tij, përfunduan në pranga. Kjo duket se qetësoi për disa muaj situatën e rendit në qytetin e Shkodrës, derisa në mëngjesin e të shtunës, 30 mars 2019, u vranë dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo që risolli në vëmendje deklaratën e ish Ministrit Xhafaj se në Shkodër vepron jo një, por katër grupe kriminale.

Dhe në fakt, operacioni policor i koduar “Oazi” nuk shënoi fundin e vrasjeve dhe as të hakmarrjeve mes grupeve kriminale të Shkodrës. Këtë e pranoi edhe vetë Ministri Lleshaj në ditën e vrasjes së vëllezërve Bilali kur tha se “ Megjithë goditjet që i janë dhënë krimit në Shkodër, prap rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende. Metastazat e këtij krimi treguan se janë gjallë dhe kanë mundësi të godasin”.

KRONOLOGJIA E VRASJEVE NE SHKODER

13 Janar 2018: Atentat kundër biznesmenit Lulzim Kulla në afërsi të tregut popullor të qytetit të Shkodrës.

Qershor 2018: Zhduken pa gjurmë Gëzim Hysa dhe nipi i tij Agron Molla.

18 Qershor: Ekzekutohet me armë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi.

15 Korrik: Vriten në një atentat, në hyrje të banesës, ish polici Boran Bercana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci.

8 Gusht 2018: Vritet Fatbardh Lici, kunati i Lulzim Kullës dhe vellai i Mustafë Licit. Ky i fundit këshilltar bashkiak dhe drejtues i një partie politike me shtrirje lokale..

1 Shtator 2018: Vritet biznesmeni Arjan Ferracaku teksa po kaloronte bashkë me Asmir Bilalin. Dyshohet se autorët e atentatit ngatërruan shenjestrën.

14 Tetor 2018: Në tregun popullor të Rusit vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut.

20 Mars 2019: Në fshatin Grudë vritet Nard Polia, pronar i një bujtine në Theth, pjesëtar i administratës së Zonave të Mbrojtura.

30 Mars 2019: Vriten në derën e shtëpisë së tyre vëllezërit Bilali.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG