Lidhje

Biden në Pitsburg, takimi i parë i fushatës së tij presidenciale


Ish-nënpresident amerikan Joe Biden zhvillon sot takimin e tij të parë si kandidat për president në Pitsburg të Pensilvanisë. Ai do të mbajë një fjalim përpara anëtarëve të sindikatave, mbështetja e të cilëve mund të jetë kyç në garën për t’u bërë kandidati zyrtar i demokratëve për zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

Zoti Biden, i cili iu bashkua garës javën e kaluar, i sheh organizatat e punëtorëve si pjesë të rëndësishme për të siguruar përkrahje. Por pavarësisht lidhjeve të tij të gjata me sindikatat, kjo gjë mundet të mos jetë dhe aq e lehtë.

Në radhët e demokratëve llogariten 20 kandidatë, shumë prej të cilëve kërkojnë mbështetjen e sindikatave. 76 vjeçari Joe Biden, e ka cilësuar veten si përkrahës të sindikatave, por puna e tij si senator dhe dy mandate në detyrën e ish-nënpresidentit gjatë administratës Obama, mund t’ia komplikojnë përpjekjet për të tërhequr votuesit e sindikatave.

Në detyrën e tij si senator i shtetit të Delauerit, zoti Biden mbështeti marrëveshjen e Tregtisë së Lirë për vendet e Amerikës Veriore, të njohur ndryshe si NAFTA, e cila u bë një pikë mosmarrëveshjesh me sindikatat sipas të cilave ajo u bë shkak që amerikanët të humbasin vende pune.

Ndërkohë Shoqata Ndërkombëtare e Zjarrfikësve njoftoi sot se mbështet zotin Biden si kandidat demokrat për president. Zoti Biden mban rekordin mes kandidatëve demokratë për sigurimin e fondeve për fushatën e tij. Vetëm në 24 orët e para ai siguroi 6,3 milionë dollarë për fushatën

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG