Lidhje

SHBA: Prokurori i Përgjithshëm Barr përballë ligjvënësve


Në një seancë të Kongresit të mërkurën, që u karakterizua nga përplasje partiake, kreu i Departamentit të Drejtësisë, William Barr mbrojti trajtimin që ai i bëri raportit të prokurorit të posaçëm mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016-s dhe përfundimin e nxjerrë prej atij vetë se Presidenti Donald Trump nuk e pengoi hetimin.

Duke dëshmuar përpara Komitetit të Gjyqësorit të Senatit, zoti Barr kundërshtoi kritikat e demokratëve se ai i kishte paraqitur në dritë të shtrembër gjetjet e raportit të prokurorit Robert Muller në përmbledhjen dërguar anëtarëve të Kongresit.

Zoti Barr doli para senatit për herë të parë që kur prokurori Mueller përfundoi hetimin e tij dy vjeçar më 22 mars.

"Mendova se ishte në interesin publik që Departamenti i Drejtësisë të shpallte konkluzionet kryesore të hetimit, pra përcaktimin nëse ishte kryer apo jo një krim i verifikueshëm," tha zoti Barr duke iu referuar përmbledhjes së tij prej katër faqesh. "Nuk besoja se ishte në interesin publik të nxirrja pjesë të tjera të raportit në mënyrë të njëanshme, duke shkaktuar debat publik për informacion jo të plotë".

Dëshmia e kreut të drejtësisë në Senat vjen vetëm një ditë pas njoftimeve se prokurori i posaçëm Mueller në një letër të 27 marsit drejtuar zotit Barr shprehte zhgënjimin, se përmbledhja e tij kishte mungesë konteksti dhe kishte krijuar konfuzion publik në lidhje me hetimin. Duke iu përgjigjur pyetjeve të demokratëve, zoti Barr tha se ai i kishte telefonuar zotit Mueller për të diskutuar mbi letrën, por prokurori i posaçëm nuk e kishte vënë në pikëpyetje saktësinë e përmbledhjes prej katër faqesh.

Në përmbledhjen e tij, zoti Barr shkruante se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se fushata Trump nuk kishte komplotuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016.

Ajo që zoti Barr nuk përfshinte në përmbledhjen e tij ishte se prokurori Mueller kishte shqyrtuar 10 episode të një pengimi të mundshëm të drejtësisë nga Presidenti Trump, duke përfshirë përpjekjet e presidentit që këshilltari i tij i atëhershëm juridik, Don McGahn, të bindëte zv/Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein të shkarkonte zotin Mueller dhe pastaj që zoti McGahn ta mohonte këtë publikisht. Këto përpjekje dolën në dritë kur një version i redaktuar i raportit prej më shumë se 400 faqesh u publikua në fillim të prillit.

Zoti Barr, i emëruar Presidenti Trump si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, tha se presidenti nuk ndërmori asnjë akt që ta privonte zotin Mueller nga qasja ndaj "dokumenteve dhe dëshmitarëve të nevojshëm për të përfunduar hetimin e tij".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG