Lidhje

Pas përfundimit të hetimit të prokurorit Mueller, beteja e zotit Trump vazhdon


Hetimi 22 mujor i prokurorit Mueller për bashkëpunim të mundshëm midis Moskës dhe fushatës së kandidatit Trump në zgjedhjet e vitit 2016 ka përfunduar. Por beteja vazhdon ndërsa administrata Trump përpiqet të bllokojë hetimet e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke injoruar thirrjet dhe kërkesat e ligjvënësve për informacione të tjera.

Pagesat e fshehta që thuhet se i janë bërë yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels; dhënia e statusit për informacione sekrete për dhëndërin e Presidentit Trump; dhe hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Janë këto disa nga çështjet polemizuese që po hetohen nga demokratët e Kongresit.

Të dielën, kryetari i Komisionit për Drejtësinë në Dhomën e Përfaqësuesve Jerry Nadler kërcënoi se do të detyronte marrjen në pyetje të Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, nëse ai refuzon të dëshmojë këtë të enjte për raportin Mueller.

Administrata thotë se nuk pajtohet me formatin e marrjes në pyetje.

"Dhoma e Përfaqësuesve kërkon që stafi dhe të tjerë të intervistojnë Prokurorin e Përgjithshëm Barr. Me të vërtetë është fyese mënyra se si po sillen", tha sekretarja e Shtypit, Sarah Sanders.

Demokratët kanë përdorur forcën e tyre ligjore për të kërkuar dëshmi nga disa zyrtarë, përfshirë ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, i cili kërcënoi të japë dorëheqjen sesa të zbatonte urdhërin e zotit Trump për të shkarkuar prokurorin Mueller.

Presidenti Trump thotë se do të kundërshtojë të gjitha thirrjet për të dëshmuar me detyrim.

“Kam qenë presidenti më transparent në historinë e vendit tonë”

Megjithëse ka debat nëse disa dëshmi duhet të bëhen publike, shumica e ekspertëve konstitucionalistë thonë se presidenti nuk ka asnjë bazë ligjore për të refuzuar t'i përgjigjet Kongresit.

“Në fakt, ky refuzim në vetvete është arsye e mundshme për të filluar procedurat për shkarkimin e presidentit pasi atëherë ai do të shkelte klauzolën e Kushtetutës për të zbatuar ligjin, sipas të cilit ekzekutivi duhet të kujdeset që ligjet të ekzekutohen me besnikëri", thotë Paul Schiff Berman, në Universitetin “George Washington”.

Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë kundër nisjes së një procedure për shkarkimin e presidentit. Pas publikimit të raportit Mueller, presidenti Trump ka kërcënuar se do t'i çojë demokratët në Gjykatën e Lartë nëse ata kërkojnë shkarkimin e tij.

Ky hap i mundshëm është vënë ligjërisht në pikëpyetje, por retorika mund të ketë efekte të caktuara politike.

"Shumë prej nesh nuk i lexojmë ato lloj dokumentesh çdo ditë dhe nuk kuptojmë llojet e argumenteve pra, standardet e dëshmive që janë në to. Pra, të përsëritësh një përfundim, duke e thjeshtuar se nuk ka patur bashkëpunim, ka qenë efektiv”, thotë Vanessa Beasley, e Universitetit Vanderbilt.

Ndërkohë, avokatët personalë të presidentit Trump kanë paditur Kryetarin e Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve demokratin Elijah Cummings, për lëshimin e një thirrjeje ligjore që kërkon të dhënat personale për financat e presidentit Trump.

Administrata po mohon gjithashtu kërkesat nga demokratët për të dorëzuar deklaratat tatimore të presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG