Lidhje

Kritikët thonë se ligji rus për birësimet ndëshkon jetimët


Kanë kaluar gjashtë vjet që kur qeveria ruse miratoi ligjin “Dima Yakovlev”, që i ndalon qytetarët amerikanë të birësojnë fëmijë rusë. Ky ligj i debatueshëm njihet jo-zyrtarisht me emrin e një fëmije jetim rus që vdiq nga një goditje të nxehti pasi ishte lënë vetëm në një makinë të parkuar nga i ati amerikan që e kishte adoptuar. Kritikët thonë se ligji ishte thjesht një reagim politik ndaj sanksioneve amerikane ndaj Rusisë. Prindër që kanë adoptuar dhe ekspertë biseduan me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Igor Tsikhanenka në Moskë, duke reflektuar se si ligji ua ndryshoi jetën atyre, si edhe shoqërinë ruse në përgjithësi.

Mamaja biologjike e pesë vjeçarit Ayur e la në spital në qytetin Ulan-Ude të Siberisë Lindore, kur ai ishte vetëm katër ditë.

Kur mjekët i kërkuan nënës së Ayurit që të bëhej dhuruese mëlçie për të, ajo refuzoi.

Stilistja nga Moska, Natalia Burdina, e pa fotografinë e Ayurit në Facebook, pak pasi ai kishte bërë një transplantim mëlçie nga një dhurues anonim që kishte vdekur.

“Nuk kisha ndërmend të adoptoja. Por aty për aty vendosa që duhet ta ndihmoja këtë fëmijë”.

Ekspertët thonë se deri së fundmi, fëmijët me probleme shëndetësore ose zhvillimore, rrallë gjenin familje të reja në Rusi.

Fondi i bamirësisë për të ndihmuar jetimët

“Fëmijët me probleme fizike rrallë birësohen. Bëhet fjalë për qindra të tillë në vit”, thotë Mitya Aleshkovsky i Fondit të Bamirësisë për të Ndihmuar Jetimët.

Ayur ishte me fat. Mbrojtësit e të drejtave të tyre, thonë se ky ligj do të thotë se mijëra jetimë të tjerë rusë, po privohen nga shansi të gjejnë një familje në Amerikë.

“Ky ligj është i neveritshëm, çnjerëzor. Vë në shënjestër më të dobëtit dhe të pambrojturit”, thotë zoti Aleshkovsky.

Ligji u miratua pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj zyrtarëve rusë për vdekjen e avokatit rus Sergey Magnitsky në një burg të Moskës në vitin 2009.

Reagimi publik ndaj ligjit nuk ka sjellë ndryshim, por vëzhguesit thonë se ka hapur debat dhe ka ndryshuar mënyrën se si rusët e shohin adoptimin.

Vullnetare e fondit për të ndihmuar jetimët

“Pati shumë artikuj në media për amerikanët që adoptonin fëmijët tanë me aftësi të kufizuara. Që atëherë numri i fëmijëve të tillë që adoptohen është rritur”, thotë Elena Alshanskaya, vullnetare e Fondit për të Ndihmuar Jetimët.

Sipas statistikave numri i rusëve që adoptojnë fëmijë është rritur, por sfidat mbeten përsa i takon anës sociale dhe jetesës së pavarur.

Avokatët thonë se çelësi për ndryshuar jetën e fëmijëve si Ayuri është që rusët të vazhdojnë të ndryshojnë qëndrimet e tyre për adoptimin dhe të investojnë në praktika më humane për t’u gjetur familje fëmijëve si ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG