Lidhje

Ish-avokati i zotit Trump: ‘Akoma ka shumë për t’u thënë’


Ish avokati personal i Presidentit Donald Trump, Michael Cohen nisi dënimin tre vjeçar të hënën pasi u gjet fajtor se kishte ndihmuar në përpjekjet për të paguar dy gra që të heshtin lidhur me siç thuhet marrëdhëniet e tyre intime me presidetin para zgjedhjeve të vitit 2016, si dhe për shkelje të tjera. Michael Cohen ka thënë se ai ka shkelur ligjin me urdhër të zotit Trump. Ndërsa po linte apartamentin e tij në qytetin e Nju Jorkut drejt burgut federal, ish avokati Cohen tha se mbeten shumë gjëra për tu thënë.

Ish avokati Michael Cohen u paraqit në burgun federal të sigurisë së lartë në Otisville, rreth 120 kilometra në veriperëndim të qytetit të Nju Jorkut. Para se të nisej për në burg, avokati të cilit i është hequr liçensa, foli për shtypin jashtë shtëpisë së tij.

“Shpresoj që kur të bashkohem me familjen dhe miqtë e mi, të mos ketë më ksenefobi, padrejtësi dhe gënjeshtra në krye të vendit tonë.”

Duket qartë se ai e kishte fjalën për ish shefin e tij, Donald Trump. Ai pati shërbyer si avokat personal për zotin Trump dhe si zëvendës president për Organizatën Trump deri vitin e kaluar. Krimet e tij financiare u zbuluan nga prokurori special Robert Mueller dhe prokurorë të tjerë federalë që po hetonin lidhjet e dyshuara mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë. Michael Cohen pranoi fajësinë për nëntë akuza, përfshi evazionin fiskal, gënjim të Kongresit dhe shkelje të rregullave për financat e fushatës. Ai pranoi se kishte mundësuar pagesën prej 280 mijë dollarësh për dy gra në shkëmbim të heshtjes së tyre pasi ato kishin pretenduar se kishin patur mardhënie me zotin Trump para se ai të kandidonte për president.

“Akoma ka shumë për t’u thënë dhe mezi pres ditën kur unë mund të ndaj të vërtetën.”

Nga ana tjetër, Presidenti Trump dhe shumë ligjvënës republikanë, u përpoqën të diskreditojnë atë duke e quajtur gënjeshtar.

“Ai gënjeu shumë. Por ishte shumë interesante pasi për një gjë ai tha të vërtetën: se nuk ka patur bashkëpunim me Rusinë. Pyes veten, përse nuk gënjeu edhe për atë, sikurse bëri për gjithçka tjetër”, u shpreh Presidenti Trump.

Gjatë një seance dëgjimore në Kongres në muajin shkurt, Cohen i pranoi gabimet e tij dhe lëshoi një paralajmërim për të tjerët në orbitën e zotit Trump.

“Njerëzit që i shkojnë pas zotit Trump, sikurse bëra unë verbërisht, do të vuajnë të njëjtat pasoja që po vuaj unë.”

Pesë nga ish ndihmësit e zotit Trump janë dënuar për vepra të ndryshme dhe një tjetër do të dalë për gjykim nga fundi i vitit. Dënimi me tre vjet burg për ish avokatin Cohen vjen pas dënimit me 7 vjet burg për ish kryetarin e fushatës së zotit Trump, Paul Manafort.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm William Barr mund të përballet ligjërisht me Kongresin nëse ai sfidon kërkesën e komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për të dorëzuar raportin pa shkurtime të zotit Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG