Lidhje

Uashington, vazhdojnë debatet mbi raportin e prokurorit Mueller


Më shumë polarizime priten në Uashington këtë javë mes ligjvenësve demokratë dhe administratës së Presidentit Trump në lidhje me hetimin mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Demokratët po kërkojnë informacion të mëtejshëm në lidhje me hetimin të prokurorit të posaçëm Robert Mueller, ndërsa administrata e Presidentit Trump është e gatshme ta mbyllë këtë kapitull dhe të merret me gjëra të tjera.Për Presidentin Donald Trump, hetimi mbi ndërhyrjen e Rusisë i takon së kaluarës.

"Nuk ka bashkëpunim të fshehtë (me Rusinë), nuk ka pengim të drejtësisë, nuk ka asgjë. Dy vjet në një gjueti shtrigash".

Demokratët nuk janë dakord me këtë vlerësim.

"Ne duam t’i shohim faktet. Ne duam ta bëjmë këtë në një mënyrë që është më pak përçarëse për vendin tonë dhe më produktive", thotë Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë bërë një kërkesë për të parë raportin e plotë të Prokurorit Mueller dhe dëshirojnë që ai të dëshmojë në kongres për hetimin dhe gjetjet e tij. Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka refuzuar dorëzimin e raportit të plotë të Prokurorit Mueller, duke bërë që një Komision i Dhomës së Përfaqësuesve të nisë procedurat ndaj Prokurorit Barr për mosbindje ndaj të Kongresit.

"Administrata e presidentit Trump ka vendosur t’i thotë 'Jo' çdo lloj mbikëqyrjeje. Ajo është kundër dëshmitarëve, dorëzimit të dokumenteve, kundër gjithëçkaje. Pra, ata po bllokjnë çdo gjë dhe duan ta zvarrisin këtë proces sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe ne do ta luftojmë këtë qasje", thotë ligjvënëse demokrat Adam Schiff.

Republikanët akuzojnë demokratët se po refuzojnë t’i pranojnë përfundimet e raportit të prokurorit Mueller, i cili ishte kryesisht i favorshëm për Presidentin Trump.

"Kemi shpenzuar 35 milionë dollarë për hetimin e Presidentit. Përfundimi i tyre ishte se nuk kishte ndodhur asnjë krim. Gjithë ky shqetësim rreth pengimit të drejtësisë është absurd, pra është absurde ideja se ai po përpiqej të fshihte një hetim për diçka që ai nuk e kishte bërë. Populli amerikan e kupton këtë", tha senatori repoublikan Rand Paul.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë hedhur poshtë thirrjet për fillimin e procesit për shkarkimin e Presidentit, por kanë paralajmëruar se Shtëpia e Bardhë mund t’i detyrojë ata ta bëjnë këtë nëse pengohet puna mbikëqyrëse e kongresit.

"Çdo ditë, ata reklamojnë pengimin e drejtësisë, duke injoruar thirrjet për paraqitje të detyruar dhe thjesht duke deklaruar se njerëzit nuk duhet të flasin në kongres në mënyrë që populli amerikan të gjejë të vërtetën", thotë Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Presidenti Trump thotë se përpjekjet e demokratëve do të shkaktojnë efekt të kundërt.

"Tani demokratët po thonë, 'Ne duam më shumë.' ...Në fakt kjo tani po sjell rezultate në anën tjetër, sepse tani kemi rezultatet më të mira të sondazheve që kemi patur ndonjëherë. Është një çmenduri".

Ndërsa Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve vazhdojnë të negociojnë për të ftuar prokurorin Mueller të dëshmjë në kongres, Komisioni i Senatit për Zbulimin, i udhëhequr nga republikanët, befasoi shumë vetë në Uashington kur i dërgoi thirrje për paraqitje të detyrueshme djalit të Presidentit, Donald Trump Jr për të dëshmuar, në kuadër të hetimit të këtij komisioni mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG