Lidhje

Skandali i pranimit në kolegje amerikane nxjerr në pah pabarazinë


Në Shtetet e Bashkuara më shumë se 50 vetë janë akuzuar deri tani lidhur me skandalin e pranimit në universitete. Skandali zbuloi përpjekje të fshehta të një spektri të gjerë ku prindërit përpiqeshin t’u siguronin fëmijëve të tyre pranime në universitetet më të mira amerikane. Dalja në skenë e skandalit ka nxitur debate të gjera mbi pabarazinë në arsimin e lartë.

Disa yje të Hollivudit janë mes dhjetëra njerëzve të akuzuar në një nga skandalet më të mëdha të vendit për pranimet në universitete.

Të pandehurit akuzohen se kanë paguar trajnerët dhe administratorët e kolegjeve në shkëmbim të pranimit të fëmijëve të tyre në shkollat elitare si “Yale” dhe Universiteti i Kalifornisë Jugore.

Për kryerjen e pagesave të dyshuara janë përdorur shoqata të rreme bamirësie.

Skandali është një prej simptomave të një gare gjithnjë e më të vështirë për pranimin në kolegje, thotë autori Dan Golden, i cili ka shkruar gjerësisht mbi këtë temë për më shumë se një dekadë. Aktualisht ai punon me organizatën jofitimprurëse “ProPublica” me seli në Nju Jork.

“Ndërsa këto kolegje bëhen gjithnjë e më të përzgjedhura, tek prindërit shtohen shqetësimet. Siç dihet, pabarëzia mes të ardhurave familjare, ka ardhur duke u shtuar që nga koha kur botova librin tim. Pra, kemi shumë miliarderë që duan të fusin fëmijët në kolegjet elitare dhe për këtë do të japin shumë para.”

Tani për tani, Departamenti i Drejtësisë nuk po ndjek penalisht universitetet e përfshira, duke thënë se ato ishin vetë viktima të skandalit dhe nuk kishin dijeni për mashtrimet. Por ekspertët thonë se skandali dëmton prestigjin e shkollimit në një unversitet elitar. Kathleen Struck është me redaksinë e Zërit të Amerikës për çështjet e studentëve.

“Amerikës i pëlqen të mendojë se ne nuk jemi kështu, se njerëzit mund të vijnë nga mbarë bota në Shtetet e Bashkuara. Dhe, nëse punon shumë dhe mirë mund të realizosh ëndërrën e artë, apo jo? Por ja që kur jep para për t’u futur në shkollë, atëherë kjo u mbyll shtegun studentëve me rezultate të mira të cilët nuk kanë të njëjtat burime financiare.”

Përzgjedhja e kolegjit mund të duket proces i vështirë dhe ekspertët thonë se është e rëndësishme përgjigja e disa dilemave.

Paul McDonald është Drejtor Ekzekutiv me firmën ‘Robert Half International’ që merret me konsulencën globale për burimet njerëzore.

“A do të shkojë në një shkollë dy vjeçare? A do të punojë natën për të paguar shkollën? A do të tranferohem tek një shkollë katë vjeçare? A do të studiojë në internet? Të gjitha këto duhet të merren parasysh sepse jo të gjithë do të shkojnë në universitete elitare. Pra, sa ja vlen marrja e kredisë studentore? Konsultimi me një këshilltar të besuar për një karrierë pas arsimimit do të sjellë rezultate të mira.”

Ndërsa këtë pranverë maturantët hedhin vështrimin drejt shkollimit të lartë, gara për pranimin në kolegjet amerikane po bëhet gjithnjë e më konkuruese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG