Lidhje

Sek. Pompeo mbi marrëdhëniet SHBA-Rusi


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë, pasi u takua me homologun e tij rus Sergej Lavrov dhe Presidentin Vladimir Putin në Soçi të martën. Por dy diplomatët më të lartë pranuan mosmarrëveshjen e vazhdueshme mbi çështjen e ndërhyrjes në zgjedhjet e huaja, Venezuelën dhe Iranin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell më shumë informacione nga Departamenti i Shtetit.

Presidenti rus Vladimir Putin foli me një ton optimist të martën, kur tha se e ndjen se Presidenti Trump me të vërtetë dëshiron të rindërtojë marrëdhëniet SHBA-Rusi pas atyre që ai i quajti akuza "të rreme" për bashkëpunim mes fushatës Trump dhe Rusisë.

"Nga ana jonë, e kemi thënë disa herë që ne gjithashtu do të dëshironim të rindërtojmë marrëdhënie të plota dhe shpresoj se tani po ndërtohet mjedisi i favorshëm", tha presidenti rus.

Por dallimet ishin të dukshme në një konferencë shtypi të tensionuar më herët të martën të Sekretarit të Shtetit Pompeo dhe Ministrit të Jashtëm rus Lavrov.

"Për Venezuelën, kemi mosmarrëveshje. U bëra thirrje kolegëve të mi rusë që të mbështesin popullin venezuelian ndërsa ata rikthejnë demokracinë në vendin e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 50 vende të tjera janë dakort se ka ardhur koha që Nicolas Maduro të largohet", tha sekretari Pompeo.

Armiqësia e shkallëzuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, tha zoti Lavrov, është shqetësim për Rusinë.

"Për çështjen sfiduese bërthamore të Iranit, shpresoj se arsyeja do të triumfojë dhe se thashethemet e dërgimit të 120,000 trupave amerikane janë vetëm thashetheme. Homologu im Mike i quajti këto thashetheme të pabaza", tha ministri rus Lavrov.

Sekretari Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë me Iranin, por do të mbrohen nëse sulmohen.

Ai vazhdoi duke i thënë ministrit Lavrov se ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane është e papranueshme.

"Nëse rusët do të angazhoheshin përsëri të bënin një gjë të tillë në vitin 2020, kjo do ta vendoste marrëdhënien tonë në një nivel edhe më të keq sesa ka qenë. Unë i inkurajoj të mos e bëjnë këtë, pasi nuk do të tolerojmë", tha sekretari Pompeo.

Homologët Pompeo dhe Lavrov ranë dakord të vazhdojnë të flasin për këto dhe çështje të tjera, si Siria, Koreja e Veriut dhe kontrolli i armëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG