Lidhje

Kompania Huauei ofron të nënshkruajë marrëveshje kundër spiunazhit


Ndërsa shtohet pritshmëria për shpalosjen e gjeneratës së ardhshme të komunikimit celular ose siç njihet ajo me termin 5G, siguria është bërë një temë e nxehtë debati. Qeveria amerikane ka nisur një fushatë të pashembullt duke u bërë thirrje vendeve të tjera që të ndalojnë kompaninë e fuqishme kineze Huawei që të jetë pjesë e kësaj teknologjie në vendet e tyre. Kompania Huawei është një nga prodhueset kryesore të pajisjeve që janë ndër elementët kryesorë të rrjetit të ri 5G. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Ide njofton nga zyrat kryesore të kompanisë Huawei në Shenzhen të Kinës, se gjigandi i telekomit po premton se do të refuzonte të ndihmonte çdo vend për akte spiunazhi.

Madje kompania prentendon se do të zgjidhte të hiqte dorë nga biznesi sesa të spiunonte.

Pritet që teknologjia 5G të sjellë një risi shpërthyese duke ndërlidhur njerëzit, shtëpitë, makinat, industrinë dhe qytetet. Kjo do të thotë më shumë mundësi për bizneset, por edhe më shumë mënyra që rrjetet dhe të dhënat mund të kompromentohen. Karl Li është ekspert për sigurinë kibernetike.

“Aktualisht, të gjitha llojet e aktiviteteve njerëzore po vihen në internet. Me ardhjen e teknologjisë 5G, do të jetë edhe më shqetësues fakti se aplikacionet komerciale dhe ndarja e të dhënave personale do të jenë pjesë e saj, pra duket se gjithçka do të jetë në internet.”

Kjo është kompania Huawei, një udhëheqëse globale në ndërtimin e rrjeteve 5G, lidhjet e së cilës me qeverinë kineze janë bërë prej kohësh një temë polemikash dhe debati. Uashingtoni argumenton se Huawei mund të detyrohet nga Pekini që të përdorë pajisjet e saj për spiunazh.

Kompania i dënon me forcë këto akuza, ndërsa kritikët e shohin atë si një zgjatim të Partisë Komuniste të financuar nga shteti.

Huawei e sheh veten si një firmë ndërkombëtare që mbështetet dhe beson në zinxhirin global të furnizimit me teknologji, thotë zëdhënësi i kompanisë Joe Kelly.

“Aktualisht rreth katër miliard njerëz në botë përdorin pajisjet tona. Nëse ne instalojmë apo marrim të dhëna nga përdoruesit, kompanitë telefonike do ta dinin këtë gjë, do ta shikonin vetiu dhe nuk do të bënin tregti me ne.”

Ren Zhengfei, një ish inxhinier ushtarak e themeloi kompaninë Huawei në vitin 1987 në Shenzen me më pak se 5 mijë dollarë.

Aktualisht, qendra e kompanisë për hulumtime dhe zhvillim në Dongguan është një shembull mahnitës i tjetërsimit në një firmë gjigande.

Vitin e shkuar, fitimet e firmës Huawei ishin më shumë se 100 miliard dollarë dhe thotë se fitimet u rritën edhe në tremujorin e parë, edhe pse Uashingtoni u përpoq ta bllokonte atë nga tregjet globale.

Ndërsa presioni është rritur me arrestimin në Kanada të zyrtares kryesore të kompanisë për financat Meng Wanzhou, nën pretendimet për shkelje sanksionesh, Huawei ka shprehur gjithnjë e më shumë vullnetin për ta kushtëzuar suksesin e vazhdueshëm të kompanisë me angazhimin për sigurinë.

Themeluesi Ren Zhengfei thotë se kompanisë Huawei nuk i është kërkuar kurrë nga asnjë vend që të spiunojë dhe nëse e detyrojnë ta bëjë këtë, do të ndërpriste veprimtarinë e biznesit.

“Ai do të mbyllte biznesin në vend që të kompromentonte sigurinë e të dhënave të çdo klienti”, thotë zëdhënësi Joe Kelly.

Por në Kinën e udhëheqësit Xi Jinping, premtime të tilla nuk mund të besohen. Që nga ardhja në pushtet, udhëheqësi i fuqishëm i atij vendi ka theksuar dominimin e partisë mbi të gjitha aspektet e shoqërisë.

Madje, Huawei shkoi edhe më tej të martën kur një drejtues i lartë tha se kompania ishte e gatshme të nënshkruante marrveshje kundër spiunazhit me qeveritë e tjera. Zyrtari tha se siguria kibernetike nuk është ekskluzive për asnjë kompani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG