Lidhje

Presidenti Meta u kërkon partive të shmangin konfrontimin civil


Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u bëri thirrje partive kryesore politike të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në këtë situatë të trazuar dhe të zgjidhin krizën politike.

Presidenti Meta tha se maxhoranca dhe opozita duhet të jenë të përgjegjshme dhe të vetëdijshme për pasojat, që i presin, nëse ndodh që vendi të shkojë në konfrontim civil.

“Kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vitesh që kur Shqipëria u nda me vitin 1997, që ishte një vit mjaft fatkeq. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Për interesa tërësisht egoiste dhe okulte Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë nga sistemet përjashtuese që në vitin ’90” - tha presidenti Meta.

Ai tha se askush nuk mund të hedhë përgjegjësitë tek të tjerët, aq më pak tek Presidenti i Republikës.

“Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të kenë në rast se e çojnë vendin drejt konfrontimit” - tha zoti Meta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG