Lidhje

Hakeri 13-vjeçar merr nën kontroll dronin për të provuar rreziqet


Presidenti Donald Trump nënshkroi këtë muaj një urdhër ekzekutiv që synon forcimin e sektorit të sigurisë kibernetike që shërben si vija e parë e mbrojtjes ndaj hakerëve vendas dhe të huaj. Me rreth 7 miliardë pajisje në mbarë botën të lidhura me internetin, sulmet kibernetike pritet të shtohen. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faith Lapidus, paisjet e lidhura nëpërmjet internetit, që nga paisjet shtëpiake inteligjente dhe deri tek dronët, janë të ekspozuara ndaj rrezikut.

Dronët po provojnë leverdinë e tyre nëpërmjet dërgesave në rrugë ajrore, fotografimit nga lart, apo edhe thjesht eksplorimit.

Por, duke marrë nën kontroll një dron në konferencën globale të sigurisë kibernetike në Afrikën e Jugut, 13-vjeçari Reuben Paul, tregoi se sa të ekspozuara ndaj sulmeve janë pajisjet e lidhura në internet. Ky “ninxha i kibernetikës”, siç e quan veten, shijon të qenit haker.

“Kam bërë hakerin që në moshën 6 apo 7 vjeçare, kur fillova të interesohesha për teknologjinë dhe të mësoja për teknikat e ndërhyrjes”, thotë Reuben Paul.

Në aktivitetin e organizuar nga firma e sigurisë kibernetike Kaspersky Lab, ai thotë se e pati shumë të lehtë.

“Fillimisht skanova për praninë e rrjeteve në këtë mjedis. Pastaj kërkova për pajisjet e lidhura me rrjetin e dronit dhe e shkëputa dronin nga lidhja me përdoruesin. Pastaj u lidha vetë me dronin dhe tashmë është plotësisht nën kontrollin tim. Mund ta drejtoj në fluturim, mund të regjistroj video dhe të mbledh gjithfarëlloj të dhënash”, thotë Reuben.

Ky është rreziku në të ardhmen tonë të ndërlidhur përmes internetit, për shtëpitë inteligjente, makinat pa shoferë, komunikimet celulare dhe dronët.

Konsumatorët rrallë i kushtojnë vëmendje sigurisë së paisjeve të tyre.

“93 për qind e sulmeve ndaj paisjeve të lidhura me internetin shfrytëzojnë fjalëkalimet e dobëta”, thotë Maher Yamout, studiues i sigurisë kibernetike në firmën “Kaspersky Lab”.

Së bashku me prindërit e tij, Reuben Paul themeloi kompaninë “Cyber Shaolin”, për të edukuar të rinjtë rreth sigurisë kibernetike.

Ai është ftuar të flasë në konferenca në mbarë botën. Mesazhi i tij është i thjeshtë:

“Teknologjia vetëm do të shtohet dhe kjo do të jetë bota jonë. Le të marrim masat që tani, që të jetë një botë e sigurtë dhe të mos i vuajmë pasojat më vonë”, thotë Reuben.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG