Lidhje

SHBA, ligjvënësit kërkojnë më tepër rregulla për kufizimin e ndërhyrjes së huaj në zgjedhje


Ndërsa vëmendja kryesore këto kohë ka qënë tek përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara përmes mediave sociale, ka shqetësime se aspektet e tjera të ndikimit të Moskës po anashkalohen.

Disa ligjvënës dhe ekspertë janë të shqetësuar se një dëm po aq i madh po bëhet përmes formave klasike, kontaktit të drejtëpërdrejtë duke premtimuar favore dhe mundësinë e shpërblimit financiar.

Për të ndihmuar në zvogëlimin e rreziqeve, nënkryetari i Komisionit të Zbulimit të Senatit paraqiti të martën një projekt-ligj, që do të kërkonte që shtabet elektorale të çdo kandidati të raportonin për çdo kontakt me shtetas të huaj që përpiqen të bashkëpunojnë, ose të bashkërendohen me fushatën elektorale të kandidatëve.

"Shumica e amerikanëve tashmë e dinë se nëse ndonjë i huaj përpiqet për ndërhyrje në zgjedhjet tona, ky rast duhet të raportohet”, u shpreh përmes një deklarate Senatori Demokrat i Virxhinias Mark Warner.

Por në një goditje të fortë ndaj presidentit Donald Trump, zoti Warner shtoi: "Është e qartë se disa amerikanë nuk e kanë marrë seriozisht këtë përgjegjësi."

Projekt-ligji për Raportimin e Ndikimeve të Jashtme në Zgjedhje, kërkon që çdo kandidat i kontaktuar nga shtetas të huaj, ta raportojë rastin brenda një jave, si në Komisionin Federal të Zgjedhjeve edhe në FBI.

Sipas propozimit, kandidatët duhet të trejnojnë gjithë personelin me pagesë të fushatës së tyre elektorale, se çfarë duhet të bëjnë nëse kontaktohen nga shtetas të huaj.

Zoti Warner citoi raportin e fundit për ndërhyrje në zgjedhje nga rusët, të prokurorit special Robert Mueller, i cili zbuloi të paktën 140 kontakte në mesin e anëtarëve, ose bashkëpunëtorëve të fushatës së zotit Trump dhe shtetasve rusë dhe WikiLeaks, si një arsye e rëndësishme për të cilën nevojitet legjislacioni.

"Ekipi elektoral i zotit Trump e mirëpriti ndihmën dhe kërkoi t’ia fshihte atë popullit amerikan," tha zoti Warner.

Në një tjetër rast, të martën, një panel ekspertësh u bëri thirrje ligjvënësve të ndërmarrin hapa për të kufizuar mundësitë e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera që të japin fshehurazi para për fushatat elektorale të Shteteve të Bashkuara.

"Ka burime të shumta fondesh përmes oligarkëve, biznesmenëve, apo kompanive ruse që janë në dispozicion për t’u përdorur për operacione të dyshimta", i tha Komisionit të Jashtëm të Kongresit Mike Carpenter, këshilltar për politikën e jashtme i ish-nënpresidentit Joe Biden.

"Sistemi ynë i financimit të fushatave elektorale është nuk është tërësisht transparent dhe ne nuk e dimë se sa para të huaja hyjnë në sistem", tha ai.

Zoti Carpenter, i cili tani drejton Qendrën Biden për Diplomaci në Universitetin e Pensilvanisë, tha se paratë po ashtu ka gjasa të hyjnë në fushatat zgjedhore amerikane përmes kompanive fiktive dhe transaksioneve të pronave të patundshme luksoze.

Heather Conley, zëvendës presidente për Evropën, Euroazinë dhe Arktikun në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se trajtimi i abuzimeve të mundshme do të kërkonte ndryshime thelbësore në mënyrën se si SHBA po luftojnë aktualisht me kërcënimet financiare.

"Ne jemi të strukturuar për të luftuar terrorizmin dhe financimin e terrorizmit", tha zonja Conley, e cila ka shërbyer në Departamentin amerikan të Shtetit me administrata Demokratike dhe Republikane.

"Nuk kemi strukutrat e nevojshme për të luftuar ndaj ndikimit të dëmshëm të Rusisë dhe manifestimet e shumta të këtij ndikimi", tha ajo. "Duhet ta trajtojmë transparencën financiare dhe pastrimin e parave si sfida ndaj sigurisë kombëtare të Amerikës ashtu siç janë”, tha zonja Conley.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG