Përfaqësues të qeverisë dhe opozitës venezueljane u rikthyen në Norvegji për bisedime që synojnë zgjidhjen e krizës politike në vend.
Qeveria norvegjeze njoftoi se javën e ardhshme do të angazhohet në ndërmjetësimin e negociatave mes palëve.
Udhëheqësi i opozitës venezueljane Juan Guaido u vetëshpall president i përkohshëm në fillim të këtij viti, pasi Asambleja Kombëtare që kontrollohet nga opozita doli në përfundimin se Nikolas Maduro nuk gëzonte legjitimitet pasi kishte fituar një mandat tjetër presidencial falë manipulimit të zgjedhjeve.
Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera kanë njohur zotin Guaido si udhëheqësin legjitim të Venezuelës. Megjithatë ai nuk ka qenë në gjendje të largojë nga detyra presidentin socialist të Venezuelës Nicolas Maduro. Ai gjithashtu nuk arriti të bindë ushtrinë për t’u ngritur kundër Maduros, gjatë një apeli për dezertim në masë më 30 prill.
Përfaqësuesit e të dyja palëve politike ishin në Norvegji edhe më parë gjatë këtij muaji, por sipas njoftimeve, bisedimet mes tyre kanë qenë tejet të tensionuara.
Facebook Forum