Lidhje

Mundësia e ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump


Presidenti Donald Trump dhe ligjvënësit amerikanë nuk ndodhen këto ditë në Uashington, por vazhdojnë të ngrihen pyetje rreth mundësisë së ngritjes së akuzave me qëllim shkarkimin e Presidentit. Shtëpia e Bardhë vazhdon të përballet me procese të shumta hetimore të ngritura nga ligjvënësit demokratë, pas përmbylljes së hetimeve ndaj Rusisë të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, megjithë akuzat që mund të ngrejë Dhoma e Përfaqësuesve, Presidenti Trump është pothuajse i siguruar se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pasi nuk ka gjasa që të shkarkohet nga Senati me shumicë republikane.

Demokratët po shfrytëzojnë maxhorancën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve për të hetuar Presidentin Trump dhe administratën e tij për çdo gjë, që nga trajtimi i fëmijëve emigrantë përgjatë kufirit SHBA – Meksikë, deri tek bizneset e tij në vende të tjera, apo deklaratat e tij të taksave. Demokratët kërkojnë gjithashtu që Departamenti i Drejtësisë të botojë raportin e plotë dhe të paredaktuar të Prokurorit Mueller. Shtëpia e Bardhë po i bllokon në pothuajse çdo lëvizje, duke i rritur tensionet edhe më shumë.

“Administrata Trump e ka ngritur pengimin e Kongresit në nivele të reja”, tha Ligjvënësi demokrat Jerry Nadler.

Mund të themi se kjo është një sjellje absolutisht e kundraligjshme e kësaj administrate”, tha Ligjvënësja demokrate Sheila Jackson Lee.

Dhoma e Përfaqësuesve po ndërmerr hapa për të dënuar disa zyrtarë të administratës për mospërfillje të Kongresit, ndërkohë që ligjvënësit kanë në dorë edhe një opsion shumë më të fuqishëm: ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump.

“Duhet që të paktën të lëvizim drejt ngritjes së akuzave për shkarkimin”, tha Ligjvënësja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez.

Pasi Prokurori i Posaçëm Mueller nuk evidentoi një bashkëpunim të fshehtë mes rrethit të ngushtë të Presidentit Trump dhe Rusisë, republikanët mendojnë se demokratët po mbahen në mënyrë të dëshpëruar pas idesë së shkeljeve të Presidentit.

“Demokratët nuk kanë plane, objektiva, apo një axhendë realiste legjislative, përveç se sulmit ndaj kësaj administrate”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Për momentin, udhëheqësit kryesorë demokratë po tregohen të matur për idenë e ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit.

“Procesi i shkarkimit është shumë përçarës për vendin. Mundemi të vazhdojmë t’i paraqesim popullit amerikan faktet, nëpërmjet hetimeve tona. Ndoshta do të rezultojë i pashmangshëm edhe fillimi i këtij procesi”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Jepuni fund këtyre hetimeve hipokrite”, tha Presidenti Trump.

Javën e kaluar, Presidenti Trump ndërpreu konsultimet me demokratët për një iniciativë madhore për modernizimin e infrastrukturës amerikane, deri në momentin kur të përmbyllen hetimet e demokratëve.

“Ju (demokratët) mund të vazhdoni me hetime, ose të ktheheni në drejtimin e investimeve për të arritur gjëra për popullin amerikan”, tha Presidenti Trump.

Historikisht, ngritja e akuzave për shkarkimin është bërë për dy presidentë amerikanë. Më i fundit ishte Bill Clinton. Procesi dëmtoi imazhin e tij, por nuk rezultoi në shkarkimin e tij. Ka gjasa që të ndodhë e njëjta gjë me Presidentin Trump. Kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm dëshirojnë largimin e Presidentit Trump, por nëpërmjet kutive të votimit.

Duket se çdo ditë po sfidohet shteti ligjor... Më e mira që mund të bëj është të fitoj përballë presidentit aktual”, u shpreh Pete Buttigieg, kandidat demokrat për president.

Anketimet nuk tregojnë se populli amerikan po kërkon shkarkimin e Presidentit Trump. Madje, niveli i miratimit për Presidentin Bill Clinton u rrit pasi republikanët filluan procedurat ndaj tij në vitin 1998.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG