Lidhje

Amerika nderon të rënët në luftra


Në Shtetet e Bashkuara të hënën e fundit të muajit maj shënohet çdo vit Dita Përkujtimore e të Rënëve, kur nderohen të gjithë ata që humbën jetën në luftra. Në mbarë vendin zhvillohen parada dhe festime të tjera.

Presidenti Donald Trump ndodhet në Japoni për një vizitë shtetërore, prandaj këtë vit ishte Zëvendëspresidenti Mike Pence udheheqësi më i lartë që vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë Uashingtonit.

Nënpresidenti Pence mbajti një fjalim tek Monumenti i Ushtarit të Panjohur, ku ishin të pranishëm qindra komandantë ushtarakë, ushtarë të thjeshtë dhe familjarë të të rënëve në krye të detyrës. Ai tha mes të tjerash se Shtetet e Bashkuara nuk munden kurrë t’ua pagojnë borxhin që u kanë personave që dhanë jetën për vendin e tyre..

"Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë dhe nuk do të harrojmë asnjëherë t’i nderojmë ata”, tha Nënpresidenti Pence.

Presidenti Trump, do ta shënojë festën me një fjalim të martën para trupave amerikane në bazën detare amerikane Yokosuka, ku ai pritet të flasë lidhur me "natyrën globale të partneritetit midis Japonisë dhe SHBA-së".

Numri i amerikanëve të vrarë në luftra Vlerësohet të jetë 1.1 milionë vetë, por numri më i madh i viktimave, gati gjysëm milioni, humbën jetën gjatë Luftës Civile të shekullit të 19-të. Në Luftën e Dytë Botërore u vranë më shumë se 400,000 ushtarë amerikanë. Këtë fundjavë në Uashington kanë vërshuar mijëra motoçikleta, për të demonstruar në paradën e përvitshme të njohur si “Rolling Thunder”, gjëmimi i motorrëve, që bart simbolikën për të tërhequr vëmendjen për të burgosurit e luftës dhe personat që figurojnë të zhdukur në aksion.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG