Lidhje

Oklahoma, në gjyq kompanitë farmaceutike për krizën e opioideve


Shteti i Oklahomës ka ngritur padi në gjykatë civile kundër kompanisë farmaceutike Johnson & Johnson. Përfaqësuesit e kompanisë u paraqitën të martën në gjykatë për të dëgjuar aktpadinë ku akuzohen për rol në krizën e opioideve që ka shpërthyer në SHBA.

Ky është procesi i parë gjyqësor mbi këto akuza që kërkojnë të vënë para përgjegjësisë prodhuesit e opioideve. Rezultati i tij mund të ketë ndikim tek procese të ngjashme gjyqësore të ngritura në shtete të tjera.

Prokurori i Përgjithshëm i Oklahomës, Mike Hunter u shpreh në komentet në hapje të procesit se kriza e opioideve është “kriza më e rëndë e shëndetit publik e krijuar nga njeriu në këtë vend e këtë shtet”.

Zoti Hunter tha se kompania Johnson & Johnson kishte operuar e nxitur nga ethet për fitime duke u përfshirë në një fushatë “cinike, mashtruese për t’i çorientuar klientët e saj”.

Një numër prodhuesish të ilaçeve që operojnë nën kompaninë Johnson & Johnson janë përmendur si të akuzuar në aktpadi. Dy kompani arritën marrëveshje para hapjes së gjyqit. Kompanitë e tjera i kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura.

Avokati mbrojtjes i kompanisë Johnson & Johnson tha në deklaratën e tij se Janssen Pharmaceuticals, një kompani e nënvarur nga Johnson & Johnson, u kishte bërë reklamë ilaçeve në përputhje me rregulloren e Agjencisë së Ilaçeve dhe Ushqimit, ku thuhej se “opioidet vetëm në disa raste të rralla krijojnë varësi”.

Shteti i Oklahomës e akuzon Johnson & Johnson se ka prodhuar sufiçit ilaçesh qetësuese e kundër dhimbjeve dhe përmes tyre ka krijuar një “ves social”.

"Kur ka prodhim në tejmasë, njerëzit vdesin,” tha Brad Beckworth, avokat i punësuar nga shteti i Oklahomës për këtë proces. Për çdo banor të komunës Klivland, me 280 mijë banorë ka në qarkullim 135 pilula opioidesh.

Vendimin për procesin do ta marrë Gjykatësi i Distriktit të komunës, Thad Balkman.

Të dielën kompania izraelite Teva Pharmaceuticals Ltd., arriti marrëveshje me shtetin e Oklahomës për të paguar 85 milionë dollarë pa pranuar fajësi. Në mars, Purdue Pharma, prodhuesi e opioidit OxyContin, arriti marrëveshje për mbylljen e procesit gjyqësor përkundrejt pagesës së 270 milionë dollarëve.

Në shkallë vendi janë ngritur 1600 aktpadi nga shtete e qytete kundër kompanive farmaceutike duke kërkuar dëmshpërblim lidhur me krizën e opioideve.

Sipas Institutit Kombëtar të Abuzimit të Drogës, në 2017 në Oklahoma u regjistruan 388 vdekje nga opioidet, ose 10.2 persona për çdo 100 mijë banorë. Në shkallë kombëtare këto ritme regjistrohen në 14.6 vdekje për çdo 100 mijë persona.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Oklahomës, kriza e opioideve ka vrarë 4,653 në këtë shtet nga 2007-2017.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vdekjet nga mbidoza me qetësues dhimbjesh e opioide të tjera u rritën nga 3,442 në 1999 duke arritur në 17,029 në 2017.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG