Lidhje

Meksika: tarifat nuk i zgjidhin problemet me emigracionin


Të enjten vonë nga llogaria e tij në tweeter zoti Trump tha se po i jepte qeverisë meksikane 10 ditë për të trajtuar çështjen e emigracionit të paligjshëm ose do t’i vendoste një tarifë prej 5 për qind për të gjitha mallrat e importuara në SHBA duke filluar nga 10 qershori. Ai kërcënoi se tarifat mund të shkonin deri në 25 për qind më 1 tetor.

Presidenti Donald Trump i bëri sërish të premten presion Meksikës. Në një postim në twetter ai shkruante: "Meksika po bën shumë para prej dekadash falë SHBA-së, ajo mund ta rregullojë me lehtësi këtë problem. Është koha që ata të bëjnë më në fund atë çfarë duhet bërë ".

Në një konferencë shtypi të premten presidenti meksikan Obrador tha se do t'i përgjigjet me respekt postimit të zotit Trump. Ai tha se masat shtrënguese nuk sjellin asgjë të mirë dhe se të gjitha konfliktet dypalëshe duhet të zgjidhen përmes dialogut.

Zoti Obrador premtoi se do ta trajtojë çështjen e emigracionit por duke arsyetuar se njerëzit që kalojnë kufirin drejt Shteteve të Bashkuara janë thjesht duke kërkuar një jetë më të mirë.

Ne duhet të ndihmojmë që emigrantët të mos hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme, por gjithashtu duhet ta bëjmë atë në respekt të plotë të të drejtave të njeriut", tha ai.

Duke folur për gazetarët të premten në Shtëpinë e Bardhë, sekretarja e shtypit Sarah Sanders tha se administrata dëshiron thjesht që Meksika të zbatojë ligjet e saj. Ajo tha se të dy presidentët janë të hapur për të vazhduar dialogun.

"Ata nuk kanë folur drejtpërdrejt, por sigurisht ekipet e tyre kanë qenë në komunikim të rregullt. Siç thashë, kemi biseduar me Meksikën me muaj, duke u kërkuar atyre të veprojnë dhe të bëjnë më shumë. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë së bashku", tha zonja Sanders.

Kërcënimi i beftë lidhur me tarifat erdhi në të njëjtën ditë që Meksika nisi procesin zyrtar për të ratifikuar marrëveshjen me Shtetet të Bashkuara dhe Kanadanë për tregtinë. Presidenti meksikan tha se do të dërgonte në Uashington ministrin e Jashtëm Marcelo Ebrard, për të negociuar për një zgjidhje. Marrëveshja ka nevojë për miratimin e ligjvënësve të të tre vendeve, përpara se të hyjë në fuqi.

Zëvendësministri i Jashtëm i Meksikës për Amerikën e Veriut Jesus Seade tha të premten se tarifat do të ishin katastrofike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG