Lidhje

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë kritikon Kinën


Që nga dita e parë që mori drejtimin e Pentagonit, sekretari i Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan, tha se tre ishin shqetësimet e tij kryesore: "Kina, Kina dhe vetëm Kina". Ndaj në vizitën e tij të parë si kreu i Pentagonit, ai nuk u rezervua në kritikat ndaj sjelljes problematike të Pekinit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon Carla Babb, sjell më shumë detaje nga Singapori.

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan dukej i qeshur përpara një takimi me homologun e tij kinez mbi përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, por gjatë fjalimit në forumin vjetor të mbrojtjes Shangri-La, zoti Shannahan tha se Shtetet e Bashkuara nuk do mbyllin një sy para sjelljes së Pekinit, që siç tha ai po kërcënon prosperitetin e rajonit.

"Nuk ka të bëjë me konflikt apo ndërtim muresh, por me sigurinë", tha Patrick Shanahan.

Kina ka një reputacion të keq për vjedhjen e teknologjisë ushtarake e civile të vendeve të tjera.

"Nuk më pëlqen kur grabitet prona intelektuale dhe kemi një problem real me të dhe sulmet kibernetike. Egzistojnë një mori çështjesh të cilat kërkojnë përgjigje", tha Patrick Shanahan.

Ekspertët thonë se Kina i ka përdorur informacionet e vjedhura për të ngushtuar hendekun me kapacitetet ushtarake amerikane.

"Epërsia që kishim ndaj Kinës dhe Paqësorit perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë ka marrë fund një herë e përgjithmonë", thotë Michael O'Hanlon i Institutit Brookings.

Kina ka vazhduar të dislokojë më shumë fuqi ushtarake përtej kufijve të saj, sidomos duke ndërtuar ishuj artificialë në Detin e Kinës Jugore dhe duke vendosur aty armatime të rënda për të mbështetur pretendimet territoriale të cilat ligji ndërkombëtar nuk i njeh.

Kohët e fundit Shtetet e Bashkuara kanë bërë presion për shtimin e patrullave ndërkombëtare në Detin e Kinës jugore, përfshirë dhe muajin e fundit drejtuar Japonisë, Indisë e Filipineve.

"Mendoj se duhet ta interpretojmë këtë konflikt ashtu siç është në realitet. Ky nuk është një konflikt mes Kinës dhe SHBA-së, por një konflikt mes Kinës dhe botës", thotë Bradley Bowman, i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.

Aleatët e SHBA-së në Singapor janë gjithnjë e më të shqetësuar lidhur me tensionet në rritje mes dy fuqive dhe siç theksoi një zyrtar i lartë, shumë besojnë se Pekini dhe Uashingtoni duhet të punojnë së bashku ose do të rrezikonin shkatërrimin e rendit botëror.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG