Lidhje

Shqetësimet e fermerëve amerikanë


Misri dhe soja janë kulturat bujqësore më fitimprurëse për fermerët amerikanë. Ndërsa shumica e bujqëve i alternojnë ato nga një sezon tek tjetri, mosmarrëveshja e vazhdueshme tregtare me Kinën po ndikojnë edhe në vendimet rutinë për fermerët, ndërsa ata fillojnë mbjelljet këtë pranverë. Korrespondenti Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi nga shteti i Illinoit.

Në fermën e Evan Hultine pranë Prinstonit në Illinoi, misri është kultura kryesore këtë vit.

"S’ka sojë këtë vit për ne. Pas rreth tre muaj lufte tregtare, ishte shumë e qartë se Presidenti kishte qëllime afatgjata në mendje. Bisedova me babanë dhe vendosëm të prodhonim misër me rendiment të lartë", thotë Evan.

Vendimi i tij vjen pas një viti të trazuar për çmimet e sojës, të diktuara kryesisht nga mosmarrëveshja tregtare dhe tarifat që Kina vendosi mbi drithërat në hakmarrje ndaj tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin e importuar kinez.

"Kemi humbur diku nga rreth një dollar e gjysmë deri në dy dollarë për çdo 25 kilogram, në varësi të ditës."

Ndërsa bisedimet tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vazhdojnë pa marrëveshje, po kështu vazhdon edhe pasiguria thotë ekonomisti i Byrosë së Fermerëve të Illinoit, Michael Doherty.

"Shohim se çmimet e tregut për sojën luhaten bazuar në lajmet e fundit nëse po arrihet përparim ... a është e vërtetë që do të kthehemi në një marrëdhënie normale tregtare me kinezët?"

Doherty thotë se shuma rekord e sojës ende në pritje për t'u shitur e bën situatën edhe më të vështirë për fermerët.

"Ne kemi më shumë sojë në magazina tani se sa ç’kemi pasur ndonjëherë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Është një sasi rekord. Kemi më shumë se pesë miliard kilogramë sojë në Shtetet e Bashkuara dhe po e shesim atë shumë më ngadalë dhe në vëllime më të vogla se normalisht në këtë pikë të vitit. Kështu që kjo sasi e madhe inventari ndikon çmimin e tregut".

Për Evan Hultine, vendimi për të mos mbjellë sojë nuk është i lehtë.

“Duhet shumë më tepër kapital të risësh një hektar miser sesa një hectare sojë kështu që na u desh të merrnin hua dhe normat e interesit po rriten”.

Kostoja më e lartë nënkupton fitime më të ulta. Ndërsa Departamenti Amerikan i Bujqësis parashikon një rritje të lehtë të të ardhurave të fermerëve këtë vit, zoti Doherty nuk është aq optimist.

“Parashikoj se 2019-a do të jetë një nga vitet më të këqija të të ardhurave për fermerët në pesë apo gjashtë vitet e fundit.”

Evan Hultine shpreson se çdo gjë tjetër që ai nuk e kontrollon dot, si moti, do të funksionojë në të mirë të tij në mënyrë që të mos zhgënjehet nga vendimi për të mbjellë vetëm misër.

“Koha do ta tregojë.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG