Lidhje

Informata të reja për autorin e sulmit në Virginia Beach


Personi i armatosur i cili vrau 12 persona dhe plagosi 4 të tjerë, në një ndërtesë të qeverisë lokale në Virginia Beach të premten, kishte njoftuar disa orë përpara sulmit se do të largohej nga puna. Zyrtari administrativ i qytetit Dave Hansen tha të dielën se i dyshuari i kishte njoftuar eprorët e tij nëpërmjet postës elektronike të premten pasdite.

I dyshuari për sulmin Dwayne Craddock, i cili punonte prej kohësh si punonjës i shërbimeve publike, u vra nga policia pas një shkëmbi zjarri për një kohë të gjatë.

Të shtunën shefi i policisë James Cervera tha se autori i sulmit ishte i pakënaqur me punën, por motivet e kësaj ngjarjeje nuk janë identifikuar ende.

Të dielën, shefi administrativ i qytetit Dave Hansen tha se të gjithë viktimat ishin punonjës të administratës lokale të Virginia Beach.

Sipas dëshmitarëve të shtënat ndodhën në ndërtesën e dytë të kompleksit komunal të Virginia Beach, ku ndodhen zyrat e personelit përgjegjës për punimet publike të qytetit, shërbimet publike dhe departamentet e planifikimit.

Mes atyre që u goditën me armë zjarri ishte edhe një oficer policie, por ai arriti të shpëtojë falë veshjes antiplumb.

Besohet se i dyshuari veproi i vetëm. Ai përdori një pistoletë të kalibrit 45mm me silenciator si dhe karikatorë të modifikuar që mbajnë shumë plumba.

Këto vrasje ishin më të fundit të një serie incidentesh në rritje në SHBA që përfshijnë të shtëna masive. Në nëntorin e vitit të kaluar një person i armatosur vrau 12 vetë në një bar në Thousand Oaks të Kalifornisë përpara se të vriste veten. Gjatë këtij sulmi u vra edhe një polic.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG