Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve voton për një masë që lidhet me hetimin e Prokurorit Mueller


Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve është në plan të votojë sot për një masë që autorizon ngritjen e aktpadisë ndaj Prokurorit të Përgjithshëm William Barr dhe ish këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë Don McGahn, lidhur me refuzimin e tyre për t’iu përgjigjur thirrjes për të dëshmuar në Kongres lidhur me çështjen e hetimit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara.

Ligjvënësit kërkojnë të kenë qasje tek dokumentet e raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, pas hetimit të tij nëse Presidenti Donald Trump ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të pengonte hetimin dhe zotin McGahn, që ai të dëshmonte për bisedat brenda Shtëpisë së Bardhë.

Zoti McGahn ishte një dëshmitar kyç për Prokurorin Mueller, por ai nuk ka pranuar të dëshmojë para komisioneve të Kongresit, duke respektuar dëshirën e Shtëpisë së Bardhë. Ekipi i zotit Mueller e mori në pyetje zotin McGahn për 30 orë dhe avokati u tha prokurorëve se zoti Trump e shtyu atë të kërkonte që zoti Mueller të largohej nga mbikëqyrja e hetimit, një kërkesë që ai e nuk e kishte marrë parasysh.

Të hënën, Shtëpia arriti një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë për dorëzimin e disa dokumenteve të rëndësishme nga hetimi i Prokurorit Mueller.

Ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler, kryetar i Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se do ta shtynte një votim të martën në se Prokurori i Përgjithshëm William Barr duhet të mbante përgjegjësi për mosrespektimin e thirrjes së Kongresit për të dëshmuar.

Presidenti Trump është zotuar se të luftojë çdo thirrje nga demokratët për të dëshmuar lidhur me hetimin e zotit Mueller, por marrëveshja e zotit Nadler e arritur të hënën me Departamentin e Drejtësisë për dorëzimin e disa dokumenteve të hetimit, sinjalizon se ka vend edhe për negociata, në vend që çështja të përfundojë me zgjidhje ligjore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG