Lidhje

Presidenti Trump dhe ish nënpresidenti Biden zhvillojnë fushatë në Ajova


Presidenti Donald Trump dhe ish-nënpresidenti Joe Biden dhanë të martën mesazhin e tyre politik në shtetin e Ajovas, secili me synimin për t’i bindur votuesit e zgjedhjeve të vitit 2020, se ai është njeriu me vizionin dhe forcën për të udhëhequr vendin. Trump dhe Biden kanë shkëmbyer replika që nga koha kur ish nënpresidenti amerikan njoftoi kandidaturën e tij për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, kur zoti Trump e portretizoi demokratin Biden si një njeri që i mungon energjia; zoti Biden, nga ana e tij, kritikoi stilin agresiv të Presidentit Trump. Por replikat e tyre u bënë edhe më të forta, kur të dy u shfaqën në të njëjtin shtet, Ajova.

Gjatë aktiviteteve të tij të së martës në Ajova, zoti Trump u pa qartë se kishte në mendje zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Presidenti republikan, i cili pritet të kandidojë për t’u rizgjedhur, shfrytëzoi çdo rast për të minuar punën e administratës Obama dhe për të përbuzur ish-nënpresidentin Biden:

"Amerika nuk duhet të jetë kurrë peng i furnizuesve të huaj me energji, sikurse ndodhi nën drejtimin Obama-Biden. Joe gjumashi!”

Argumenti kryesor i zotit Trump në favor të tij, ka qenë rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Por politikat e tij për tarifat kanë dëmtuar fermerët amerikanë dhe disa prodhues, duke shkaktuar shqetësim se ekonomia mund të shkojë drejt rënies. Presidenti Trump këmbënguli se nga tarifat përfitojnë fermerët amerikanë.

"Ne jemi duke marrë miliarda nga ato miliarda dollarë që hyjnë në vendin tonë përmes tarifave - u dhamë fermerëve 16 miliardë dollarë, sepse kjo ishte shuma më e lartë që Kina kishte përdorur ndonjëherë për të blerë produktin tuaj", - tha zoti Trump.

Më parë gjatë ditës së martë, zoti Trump shkroi një sërë tweetesh, ku shprehte besimin e tij për t’u rizgjedhuar, duke përfshirë një vlerësim ndaj tij në kohët e fundit në anketa. Sipas Raportit Rasmusen, mbështetja për të është tani rreth 50 për qind.

Megjithatë, një sondazh i Universitetit Quinnipiac i botuar të martën, tregoi se Joseph Biden është 13 pikë para zotit Trump në mbështetjen që ai ka në nivel kombëtar.

Zoti Biden e filloi vizitën e tij dy-ditore në Ajova më herët të martën, duke vënë në shënjestër stilin e udhëheqjes së zotit Trump.

"Unë mendoj se ai përbën me të vërtetë një kërcënim për vlerat tona kryesore. Ai është gjithashtu kërcënim për imazhin tonë në botë. Gjatë ceremonive me rastin e përvjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi më la pa mend fakti që ai i sulmoi me tweete të gjithë, nga kryebashkiaku i Londrës tek aktorja amerikane Bette Midler.”- tha zoti Biden.

Kandidati demokrat për president me më tepër mbështetje, kritikoi gjithashtu deklaratat e zotit Trump mbi tarifat:

"Fakti është se ai e tërhoqi kërcënimin për tarifat me Meksikën kohët e fundit, sepse e kuptoi se rrezikonte të humbiste Michiganin, Ohajon, Ajovën dhe papritur - siç themi ne në Delauerin jugor – atij i vika një thirrje nga Zoti... Por, do të shikoni, nëse situata vështirësohet, ai do të fillojë përsëri të kërcënojë me tarifat. Sipas mendimit tim, për të punëtorët amerikanë janë veçse një peng i lojës së tij".

Tani për tani zoti Biden dhe zoti Trump janë në pararojë të garës së partive të tyre përkatëse për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por nëntori i vitit 2020 është ende larg dhe zgjedhjet e 2016-ës treguan se surprizat e minutës së fundit nuk mund të përjashtohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG