Lidhje

E pasigurt e ardhmja e kompensimeve të punonjësve të shpëtimit të 11 shtatorit


Komediani amerikan, Jon Stewart shprehu indinjatën ndaj ligjvënësve që nuk morën pjesë në një seancë për një fond që do të kompensonte plotësisht punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë gjatë sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork.

Zoti Stewart, një avokat i hershëm për anëtarët e ekipeve të shpëtimit të 11 shtatorit e drejtoi dorën nga karriget e zbrazëta në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i quajti ata “një turp për vendin dhe një njollë për institucionin” e Kongresit. Ish-drejtuesi i programit satirik “The Daily Show” akuzoi gjithashtu anëtarët e komisionit se po tregonin “mungesë të papranueshme respekti”, për punonjësit e emergjencës.

"Indiferenca juaj u ka kushtuar këtyre burrave dhe grave gjënë më të çmuar: kohën. Është e vetmja gjë që po u mbaron. Rolet duhet të ndërrohen në këtë seancë. Këta burra dhe gra duhet të jenë në podium dhe Kongresi duhet të jetë aty poshtë duke iu përgjigjur pyetjeve se pse dreqin qenka kaq e vështirë dhe pse u dashka kaq shumë kohë”, tha zoti Stewart.

Mbi 7 miliardë dollarë u përfshinë në një fond për të kompensuar zjarrfikësit, ekipet e ndërtimit, policët dhe punonjës të tjerë të ndërhyrjes së shpejtë që nxituan në rrënojat e Qendrës Botërore të Tregëtisë, duke thither pluhur, tym, kimikate dhe lëndë të tjera të rrezikshme.

Shumë vetë po vuajnë nga probleme frymëmarrjeje, çrregullime me sistemin e tretjes, kancer në mushkëri dhe kancere të tjera.

"Ky fond nuk është biletë për në parajsë. Është për të mbajtur familjet tona, kur ne nuk mundemi. Asgjë më shumë. Ju të gjithë thatë se nuk do të harroni kurrë. Unë jam këtu që të sigurohem që vërtet nuk do të harroni. Më detyruat të vij këtu një ditë para raundit të 69-të të kimioterapisë. Dhe unë do të bëj të pamundurën që të mos harroni kurrë të kujdeseni për ekipet e shpëtimit të 11 shtatorit”, - tha Luis Alvarez, ish-detektiv i policisë së Nju Jorkut që ishte pjesë e ekipit të shpëtimit të 11 shtatorit.

Departmenti i Drejtësisë ka paralajmëruar se fondi po tkurret pas nuk ka mekanizëm në Kongres që të mos ta lejojë një gjë të tillë, para se të skadojë programi vitin që vjen.

Pagesat e sigurimeve janë reduktuar dhe 21 mijë kërkesa janë ende pezull.

Zoti Stewart dhe të tjerë po i kërkojnë Kongresit që të miratojë një ligj që të sigurojë se fondi do të vazhdojë të funksionojë për 70 vitet e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG