Lidhje

Socialistët kërkojnë zyrtarisht shkarkimin e Presidentit Meta


Një grup prej 55 deputetësh socialistë i kërkuan sot parlamentit të shkarkojë Presidentin e Republikës, Ilir Meta, për shkak të anullimit të datës së zgjedhjeve vendore.

Ata deklaruan se ky akt i presidentit është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlamentare, me funksionet e postit të tij dhe me ushtrimin normal të sovranitetit nga populli.

Socialistët kërkojnë zyrtarisht shkarkimin e Presidentit Meta
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

“Zoti Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë me pëlqimin tonë. Ne socialistët nuk i përkasim kulturës politike të arbitraritetit dhe dhunimit të ligjit dhe do të ndjekim rigorozisht procedurën e parashikuar në rastin e shkarkimit Presidentit” - tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Deputetët socialistë shtuan se presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve dhe mbi bazën e atij dekreti, nisën një seri përgatitjesh të procesit zgjedhor, të cilat ai nuk mund t’i prapsojë më. Ata cituan një varg nenesh të Kushtetutës dhe komentesh, sipas të cilëve, presidenti ka shkelur parimin kushtetues se sovraniteti i takon popullit.

“Anulimi i datës 30 qershor si datë e mbajtjes së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor dhe më e rëndë akoma, moscaktimi i një date tjetër për mbajtjen e tyre, mohon në thelb të drejtën e sovranit për të qenë i tillë” - shënojnë deputetët në kërkesën e tyre drejtuar parlamentit.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu përgjigj sot kërkesës së presidentit Meta për informacin mbi122 e deputetët në Kuvend dhe përkatësinë e tyre në zona zgjedhore. Kërkesa e Presidentit drejtuar KQZ-së u intepretua si një hap paraprak i tij për të studiuar mundësitë e shpërndarjes së parlamentit. Kur parlamenti miratoi me 100 vota rezolutën kundër dekretit të presidentit Meta, i cili tashmë ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, ky la të kuptohet se parlamenti ekzistues, me deputetët zëvendësues, nuk është legjitim: “Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim” - tha zoti Meta.

Presidenti Meta ka nisur konsultimet me partitë politike për një datë të re zgjedhjesh vendore. Ai ka zhvilluar takime me disa parti të opozitës, por socialistët po vazhdojnë fushatën për të realizuar zgjedhjet më 30 qershor. Presidenti Meta ka zhvilluar një takim me ambasadorët e Bashkimit Europian, ku ka shpjeguar hapat e tij për shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Sipas njoftimeve të medias vendase, gjatë takimit u diskutua kriza politike dhe rreziku i konfliktit civil mes palëve pro dhe kundër zgjedhjeve vendore.

Por deputetët socialistë zyrtarizuan mendimin e tyre për shkarkimin e presidentit. Ata thekuan në kërkesën zyrtare se me anulimin e zgjedhjeve vendore, Presidenti praktikisht po sillet si nga pozitat e një pushteti absolut, që vepron përtej kompetencave të dhëna nga sovrani nëpërmjet Kushtetutës. Deputetët citojnë në kërkesën drejtuar parlamentit edhe shkeljen e parimit të periodicitetit të zgjedhjeve si dhe zgjatjes së mandateve të institucioneve.

“Presidenti Meta ka sulmuar Kuvendin me një gjuhë të padenjë dhe të papranueshme për institucionin e lartë që përfaqëson. Kuvendi nuk intimidohet dot kurresesi nga askush, por zoti Meta e ka ulur nivelin e presidencës së tij nën kufirin minimal të etikës shtetërore, sa herë hap gojën” - tha zoti Balla.

Kërkesa e deputetëve socialistë bazohet në nenin 90 të Kushtetutës, ku thuhet se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”.

Propozimi për shkarkim duhet bërë nga një e katërta e deputetëve dhe duhet të mbështetet nga dy të tretat e tyre, ose 94 vota, të cilat socialistët formalisht nuk i kanë.

Sipas procedurës së parashikuar, vijon shqyrtimi i kërkesës për shkarkim nga komisioni i çështjeve ligjore, dhe më pas nga një komision hetimor, i cili duhet të bëjë një raport pas hetimeve, dhe shqyrtimi i materialeve në një seancë me debat, votimi pro me 94 vota. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila është aktualisht jofunksionale.

Vetëm kur Gjykata Kushtetuese vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, ajo deklaron shkarkimin e tij nga detyra, saktëson Kushtetuta. Të gjitha hapat ligjore kërkojnë javë të tëra veprimesh, pa përmendur pushimet e stinës, Gjykatën Kushtetuese jofunksionale dhe mungesën e votave socialiste; elemente këto që e vështirësojnë ndjekjen e procedurave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG