Lidhje

Senatorët kritikojnë vendimin për t’i shitur armë Arabisë Sadite


Këtë javë, senati amerikan pritet të ndërmarrë një përpjekje për të bllokuar shitjen e armëve me vlerë 8 miliardë dollarë Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi shumë ligjvënës amerikanë vazhdojnë të jenë të shqetësuar për trajtimin e gjendjes së të drejtave të njeriut nga Rijadi, luftën në Jemen dhe vrasjen vitin e kaluar të gazetarit Jamal Khashoggi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton se administrata e Presidentit Trump është pëpjekur të anashkalojë rishikimin nga kongresit të shitjes së armëve duke e lidhur atë me një deklaratë të emergjencës kombëtare për t’iu kundërvënë kërcënimit nga Irani. Tensionet lidhur me Arabinë Saudite janë të larta në senatin amerikan.

"Marrëdhënia aktuale me Arabinë Saudite nuk po funksionon për Amerikën. Unë nuk do të tërhiqem derisa gjërat të ndryshojnë në Arabinë Saudite", tha senatori republikan Lindsay Graham.

"Çfarë lloj aleati rrëmben një banor të vendit tuaj [Khashoggin], i cili kërkon mbrojtjen tonë, e sjell atë në një konsullatë, e copëton dhe e zhduk? Natyra e kësaj aleance [me Arabinë Saudite] shihet qartë", tha senatori demokrat Chris Murphy.

Disa muaj pasi senati miratoi një rezolutë për t'i dhënë fund mbështetjes amerikane ndaj fushatës ajrore të udhëhequr nga Arabia Saudite në luftën e përgjakshme civile të Jemenit, senati mund të votojë kundër shitjes së armëve amerikane dhe mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përpjekja e administratës së Presidentit Trump për të përshpejtuar miratimin e marrëveshjes për shitjen e armëve bazuar në një deklaratë të emergjencës ka acaruar ligjvënësit e të dyja partive.

"Jam i lumtur që nuk jam i vetmi në këtë organ që është i shqetësuar nga gatishmëria e Presidentit për të anashkaluar Kongresin dhe për t’i shitur këto armë pa marrë parasysh ngjarjet e fundit që kanë tensionuar marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite", tha senatori demokrat Robert Mennedez.

Ndërsa besohet se mund të ekzistojnë votat për miratimin me shumicë të thjeshtë të një rezolute kundër shitjes së armëve, ka dyshime për arritjen e dy të tretave të nevojshme për t’iu kundërvënë vetos së Presidentit.

Javën e kaluar, Senati nuk pranoi të merrte në shqyrtim një përpjekje për të bllokuar shitjet e armëve për Bahreinin dhe Katarin. Debati në senattregoi se shitjet e armëve në Lindjen e Mesme mbeten të popullarizuara në mesin e një numri të konsiderueshëm të republikanëve, sidomos duke pasur parasysh një varg incidentesh shqetësuese në rajonin e Gjirit Persik.

"Ndërsa ekonomia e Iranit po vuan pasojat e sanksioneve të reja amerikane, ajatollahët po shprehin zemërimin dhe tërbimin e tyre kundër botës. Është thelbësore që ne të mbështesim partnerët tanë të Gjirit Persik gjatë kësaj periudhe të rrezikshme në mënyrë që ata të mund të mbrojnë veten nga agresioni iranian", u shpreh senatori republikan Tom Cotton.

Republikanët e tjerë theksuan se ndalimi i shitjeve të armëve do t’i detyronte aleatët të blenin armë nga armiqtë e Amerikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG