Lidhje

Ish drejtorja e kominikimit të Shtëpisë së Bardhë dëshmon në Kongres


Në SHBA, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillon të mërkurën një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me ish-drejtoren e Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Hope Hicks. Kjo është hera e parë që ligjvënësit marrin në pyetje një person të rrethit të ngushtë të presidentit, që prej publikimit të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në muajin prill.

Demokratët e konsiderojnë dëshminë e zonjës Hicks, ish-ndihmëse e ngushtë e Presidentit Donald Trump, një fitore të rëndësishme pasi zoti Trump i ka penguar gjerësisht hetimet e nisura prej tyre.

Komisioni kërkoi fillimisht që dëshmia e zonjës Hicks të ishte publike, por në fund ra dakord për një seancë me dyer të mbyllura. Një transkript i seancës pritet të publikohet në ditët në vazhdim.

Është e paqartë se sa informacion të ri do të ofrojë Hope Hicks. Ajo ka bashkëpunuar gjerësisht me hetimin e zotit Mueller lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Një avokat i Shtëpisë së Bardhë, i pranishëm gjatë seancës dëgjimore, pritet ta ndalojë atë t’u përgjigjet disa pyetjeve.

Në një letër dërguar të martën kryetarit të komisionit Jerry Nadler, avokati i Shtëpisë së Bardhë Pat Patrick Cipollone shkruante se zoti Trump e kishte udhëzuar zonjën Hicks që të mos i përgjigjej pyetjeve "në lidhje me periudhën e shërbimit të saj si këshilltare e lartë e presidentit”.

Zoti Cipollone tha se zonja Hicks, si një nga ish-këshilltaret e larta të zotit Trump është "absolutisht imune" lidhur me dëshminë për shërbimin e saj ndaj presidentit për shkak të ndarjes së pushteteve mes degëve ekzekutive e legjislative. Shtëpia e Bardhë ka përmendur gjithashtu privilegjin ekzekutiv në lidhje me shumë nga kërkesat e demokratëve, duke përdorur fuqinë e presidentit për të refuzuar dhënien e informacionit për të mbrojtur konfidencialitetin e procesit vendimmarrës të Zyrës Ovale.

Demokratët kanë argumentuar se përgjigjet e zonjës Hicks nuk mbrohen nga imuniteti apo privilegji ekzekutiv, sidomos pas bashkëpunimit të saj me zotin Mueller. Komisioni i ka kërkuar zyrtarisht zonjës Hicks të paraqesë dokumente, por ajo është pajtuar vetëm pjesërisht me këtë kërkesë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG