Lidhje

BILD nxjerr 10 përgjime të tjera nga Dosja 184, ku dëgjohen ish-ministrat socialistë Gjiknuri dhe Tahiri


Gazeta gjermane BILD botoi sot edhe 10 përgjime të tjera telefonike të realizuara nga Prokuroria shqiptare nga Dosja 184/2016, lidhur me zgjedhjet vendore në Dibër, ku dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të qeverisë Rama, që diskutojnë për rezultate maksimale të votimeve.

Në përgjimet e sapopublikuara dëgjohen ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri, ish ministri i energjisë Damian Gjiknuri si dhe deputetë socialistë, që bisedojnë me policë, biznesmenë dhe persona të dyshuar për veprimtari të paligjshme në krahinën e Dibrës.

Ata urojnë njëri tjetrin për maksimalizimin e fitores së zgjedhjeve me presione dhe forma të ndryshme. Atyre u premtohet se do të promovohen në karrierë, sepse ndihmuan fuqishëm fitoren e thellë të PS-së.

Në përgjimet e publikuara sot dëgjohen edhe disa metoda të blerjes së votave në favor të PS-së, mbledhjes së kartave të identitetit dhe presioneve që u bëhen qytetarëve për të votuar familjarish pro PS-së.

Në përgjimet dalin edhe përgjimet e veprimtarëve elektoralë të PS-së për të penguar në punën e tyre gazetarët investigativë të Top Channel dhe të programit Fiks Fare, që kishin siguruar filmime me blerje votash dhe tufa parash nëpër duart e tyre.

10 përgjimet e publikuara sot e ngrejnë në 32 numrin e telefonatave të zbardhura deri tani nga BILD, pas 6 telefonatave krerëve socialistë në Durrës me persona të dyshuar në veprimtari kriminale për blerje votash dhe kërcënim të votuesve, dhe 16 të tjerave të ngjashme po në zonën e Dibrës disa ditë më parë, pjesë e dosjes hetimore 184/2016 për manipulimin e zgjedhjet vendore të parakoshme, të shtatorit 2016 në atë qytet.

Partia Demokratike pati dorëzuar në prag të zgjedhjeve një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish vendorë të policisë, drejtorive rajonale të arsimit, tatimeve, OSHEE-së, etj., si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën për angazhime të paligjshme në prozesin zgjedhor, një personazh ky i dyshuar për aktivitet kriminal me lidhje të forta në zonë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG