Lidhje

Në pikëpyetje mbijetesa e industrisë së qymyrgurit


Kanë kaluar dy vjet që kur Presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga marrëveshja klimatike e Parisit. Asnjë vend tjetër nuk ndoqi shembullin e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të luftuar ngrohjen globale. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Baragona, bota nuk ka arritur objektivat e përcaktuara në Paris për të shmangur ndryshimet katastrofike të klimës.

Minierat e qymyrgurit janë të heshtura në kodrat e Apalaçias. Termocentralet që ato furnizojnë po mbyllen njëra pas tjetrës, ndërsa kompanitë energjitike po kalojnë drejt energjisë më të pastër.

Gjatë një konference të industrisë së qymyrgurit, pamja ishte e zymtë. Charles Snavely, Sekretari për Energjinë dhe Mjedisin i shtetit Kentucky, ish-drejtues i kompanive të qymyrgurit, tha se ekspertët parashikojnë të bjerë përdorimi i qymyrit.

“Rënia e madhe që përjetojmë tani, mendoj se do të përkeqësohet me kalimin e kohës”, tha zoti Snavely.

Megjithëse administrata Trump ka punuar për zbutjen e rregullave mjedisore, shumë korporata të mëdha po ndërmarrin hapa për të luftuar ngrohjen globale.

Korporata si Walmart, Microsoft, Toyota etj. kanë përcaktuar objektivat e tyre mjedisore dhe po nxisin qeverinë federale dhe vendore për të vepruar.

“Kapaciteti i tyre për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të nxitur politikëbërësit është thelbësor”, thotë Alli Roberts, e organizatës “Ceres”.

Ndryshimet klimatike janë ngjitur në krye të axhendës së Uashingtonit, pas zgjedhjeve të 2018-tës që sollën një valë ligjvënësish me prirje të majta.

Dhe ndërsa demokratët kanë filluar fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ata shohin një mundësi për të kandiduar përballë mohimit dhe mosveprimit republikan për klimën.

Presidenti Trump po i sfidon.

“Duan t’ju heqin makinën, të zvogëlojnë vlerën e shtëpisë tuaj dhe të lënë miliona amerikanë pa punë. Duhet të paguajmë 100 trilionë dollarë. As nuk ekziston një shumë e tillë. Mbajeni mend. Asnjë vend tjetër përveç nesh nuk do ta bëjë një gjë të tillë dhe ky është një problem”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.

Asnjë vend tjetër nuk ka ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara për t’u larguar nga marrëveshja e Parisit. Megjithatë, asnjë vend nuk ka ulur mjaftueshëm nivelin e gazrave ndotës për të shmangur sipas shkencëtarëve ngrohjen katastrofike globale.

“Paradoksi është se ndërsa gjërat po bëhen më keq në terren, vullneti politik duket se po shuhet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Zoti Guterres thotë se vendet duhet të marrin iniciativën gjatë samitit të OKB-së për klimën që zhvillohet në muajin shtator, në Nju Jork.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG