Zyrtarët iraniane kritikuan të martën sanksionet e reja të Uashingtonit, që sipas tyre i dhanë fund çdo rruge diplomatike për zgjidhjen e tensioneve mes dy vendeve. Ata akuzuan zyrtarët amerikane për dialog të pasinqertë. Të hënën Presidenti Donald Trump vendosi sanksione të reja ekonomike kundër udhëheqësit suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei, tetë komandantëve të lartë të ushtrisë iraniane dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Ai i bëri thirrje qeverisë iraniane të ndryshojë atë që e quajti “sjellje destruktive” si dhe të respektojë të drejtat e popullit e të kthehet me sinqeritet në tavolinën e negociatave.
Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha të martën në Jeruzalem se presidenti Trump "e ka derën e hapur për negociata reale", por sipas tij Irani është përgjigjur me "heshtje shurdhuese".
“Presidenti e ka mbajtur derën hapur ndaj negociatave reale për të eliminuar tërësisht dhe në mënyrë të verifikueshme programin e armëve bërthamore të Iranit, sistemet e tij të raketave balistike, mbështetjen që i jep terrorizmit ndërkombëtar dhe sjellje të tjera keqdashëse në të gjithë botën”, tha zoti Bolton.
Por gjatë një fjalimi televiziv, presidenti Iranian Hassan Rouhani e cilësoi vendimin e administratës Trump "të egër dhe idiote". Ai la të kuptohet se qëndrimi amerikan është i pasiqertë kur tha se nuk mund t’i vendosësh sanksione ministrit të Jashtëm iranian dhe njëkohësisht të bësh kërkesë për bisedime.
Ekonomia iraniane është përballur disa herë me sanksione prej vitit të kaluar kur presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Tashmë Teherani po përballet me sanksione të reja.
"Sanksionet do t’i mohojnë udhëheqësit Suprem, zyrës së tij si dhe atyre të lidhur ngushtë me të, qasjen tek burimet kryesore financiare si dhe mbështetjen”, tha presidenti Trump.
Zoti Trump urdhëroi vendosjen e raundit të ri të sanksioneve të hënën, pas njoftimeve në fundjavë se SHBA-ja kishte nisur sulmet kibernetike ndaj kompjuterave të përdorur nga shërbimet iraniane të zbulimit.
Teherani i quajti sulmet një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kritikoi vendosjen e sanksioneve të reja.
"A ka mbetur ndonjë sanksion që Amerika kërkon ta vendosë dhe që nuk e ka bërë kohët e fundit apo gjatë 40 viteve të fundit? A po fitojnë ata ndonjë gjë nga kjo?", ishin disa nga pyetjet që ngriti Abbas Mousavi, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit.
Sanksionet amerikane kanë në shënjestër udhëheqësin më të lartë iranian Ajatollah Khamenei për shkak të sjelljes armiqësore të regjimit të tij. Por disa vëzhgues vënë në pikëpyetje efektivitetin e sanksioneve, duke pasur parasysh se nuk ka gjasa që Ajatollah Khamenei të përdorë instrumente financiare nën juridiksionin amerikan.
"Ata që mendojnë se këto janë thjesht simbolike, kjo nuk është aspak e vërtetë. Realisht u kemi mbllokuar rrugën dhjetëra e dhjetëra miliarda dollarëve. Sanksionet do të ndikojnë edhe vendet ku këta njerëz fshehin paratë. Pra, këto sanksione janë shumë efektive", tha zoti Steve Mnuchin, sekretari amerikan i Thesarit.
Presidenti Trump, i cili bëri fushatë për ndalimin e asaj që ai e quante "luftra pa pafund", javën e kaluar anuloi një sulm ndaj Iranit si përgjigje ndaj rrëzimit nga Teherani të një droni amerikan.
"Do të donim të negocionim një marrëveshje nëse ata do ta dëshironin një gjë të tillë. Por nëse nuk e duan, nuk ka asnjë problem", tha zoti Trump.
Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo po zhvillon takime me aleatët në rajon, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për krijimin një koalicioni kundër Teheranit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të negociojnë me Iranin pa parakushte për t'i dhënë fund tensioneve në rritje.
Facebook Forum