Lidhje

Shkup, debat në parlament për ndryshimet në kabinetin qeveritar


Në parlamentin e Maqedonisë së Veriut ka nisur debati për ndryshimet në kabinetin qeveritar të kryeministrit Zoran Zaev. Por ende nuk është arritur të votohet shkarkimi i ministrave të cilët nuk do të jenë më pjesë e kabinetit, për t’i lënë radhën debatit mbi emrat e rinj të propozuar nga kryeministri maqedonas.

Propozimi i zotit Zaev që vetë ta drejtojë edhe ministrinë e Financave për një kohë të caktuar ka hasur në reagime të ashpra nga opozita maqedonase, ndërkohë që Komisioni për pengimin e korrupsionit e ka paralajmëruar Kryeministrin Zaev se sipas ligjit, bartja e dy funksioneve nga një individ paraqet konflikt interesash.

Si rrjedhojë, Zoran Zaev gjatë një fjalimi në parlament tha se do të tërhiqet nga planet për ta drejtuar edhe ministrinë e Financave, por pa propozuar një emër, kandidat për ministër i cili do të ulej në krye të këtij resori më të rëndësishëm qeveritar.

“Patjetër të dëgjohet opozita dhe Komisioni antikorrupsion, i cili dërgoi mesazhe serioze”, u shpreh Kryeministri Zoran Zaev.

Deputetët opozitarë të VMRO-DPMNE-së bënë kritika të ashpra ndaj kryeministit dhe qeverisë së tij lidhur me mburrjen, siç thanë ata, për rritjen ekonomike vitin e fundit, ndërsa këmbëngulën me pyetjet e shtruara atij se pse po e ndryshonte ministrin e Finanacave Dragan Tevdovski nëse gjendja ekonomike ishte përmirësuar dukshëm, siç thotë zoti Zaev. Opozita e ka quajtur një masë populiste atë të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, ndërkohë që edhe në opinionin publik ka pasur mjaft kritika nga analistët, sipas të cilëve duheshin bërë ndryshime rrënjësore, të largoheshin ministrat e dyshuar për korrupsion e shpërdorim tenderash dhe jo ministri i Financave.

Nga qeveria do të largohen edhe Hazbi Lika, i cili drejtonte Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por që rreth një vit nuk shkonte në punë; Lupço Nikollovski i Bujqësisë, i emëruar rishtazi për Sekretar organizativ të Lidhjes Social Demokrate në pushtet, Suhejl Fazliu i Pushtetit lokal, Zoran Shapuriq i Partisë Liberal Demokrate i cili ishte pa portofol, ndërkaq Sadulla Duraku i BDI-së e lë Ministrinë e Ambientit jetësor dhe e merr në drejtim atë të Sistemit Politik, një ministri e krijuar së fundmi si zëvendësim i Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit. Në krye të ministrisë së Ambientit vjen Naser Nuredini, djali i biznesmenit Haki Nuredini nga Vjena. Pushtetin vendor do ta drejtojë Goran Milevski, kryetar i Partisë Liberal Demokrate, duke lëshuar njëkohësisht mandatin e tij të deputetit. Ministria e Bujqësisë i besohet Trajan Dimkovskit, (LSDM) një kuadër nga brenda ministrisë. Hysni Ismaili nga partia shqiptare Alternativa do ta zërë vendin bosh të ministrit të Kulturës, pasi disa javë më parë Asaf Ademi dha dorëheqjen nga ky post për shkaqe shëndetësore, siç pati thënë vetë.

Rioraganizimi i kabinetit qeveritar ka shqetësuar partinë Rilindja Demokratike Kombëtare, kryetari i së cilës, Vesel Memeti paralajmëroi se do të dorëhiqej nga posti i nën-kryetarit të parlamentit për shkak se iu mor ministria e Pushtetit vendor. Zoti Memeti ka paralajmëruar po ashtu se mund të largohej edhe nga posti i deputetit. Në atë rast vendi i tij do të plotësohej nga një përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët, me të cilën ishin në koalicion gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Miratimi i ndryshimeve në kabinetin qeveritar kërkon shumicën prej 61 votash në parlament dhe kjo mund të mos bëhet të mërkuren për shkak të listës së gjatë të ligjvënësve për pjesëmarrja në debat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG