Lidhje

Gjykata në Budapest hedh poshtë kërkesën e Shkupit për ekstradimin e Nikolla Gruevskit


Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka dalë të enjten para gjykatës në Budapest lidhur me kërkesën e autoriteve në Shkup për ekstradimin e tij. Por gjykatësja ka vendosur që ai të mos ekstradohet dhe të lihet i lirë me që, sipas medias në Budapest, gjykata nuk mund të miratonte ekstradimin për një person të cilit tashmë i është dhënë azili në Hungari.

Ish-kryeministri i arratisur nga vendi i tij, u pa brenda gjykatës në Budapest me një kapele bejsbolli në kokë, me syze dielli dhe një xhaketë të hedhur mbi duar, që sipas të gjitha gjasave ishin të lidhura me pranga.

Ministria maqedonase e Drejtësisë e konfirmoi njoftimin për Zërin e Amerikës, ndërsa la të kuptohej se ende nuk ka marrë shkresë zyrtare nga Ministria e Drejtësisë për refuzimin e kërkesës për ekstradimin e zotit Nikolla Gruevski.

Kjo është kërkesa e dytë me radhë e Shkupit për ekstradimin e ish-kryeministrit azilant. E para kishte të bënte me vuajten e dënimit në kohëzgjatje prej dy vjetësh, ndërsa e dyta lidhur me aktakuzën e ngritur kundër tij nga Prokuroria në Shkup për rolin e tij si organizator i ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e vendit më 27 prill 2017.

Nikolla Gruevski, sipas një varianti të njoftuar nga autoritetet, ishte arratisur me makinë përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi e Serbisë për në Hungari. Kryeministri Zoran Zaev i ka thënë para disa ditësh shtypit gjerman, se Gruevski kishte ikur i fshehur në bagazhin e makinës, por ky i fundit e ka mohuar këtë me anë të një shkrimi në Facebook.

Së fundmi, zoti Gruevski dha dorëheqjen nga posti i deputetit, pas shumë përpjekeve të parlamentit për heqjen e mandatit të tij të deputetit. Megjithatë, ai gëzon të drejtën e pagës mujore në një afat prej një viti në nivelin e rrogës mujore të ligjvënëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG