Lidhje

Cila është përbërja e bazës mbështetëse të presidentit Trump?


Në zgjedhjet e 2016-s, Presidenti Donald Trump fitoi me sistemin e kolegjit elektoral, por humbi votën popullore. Vlerësimet për punën e tij kanë qenë vazhdimisht nën 50 për qind. Megjithatë, në një intervistë të kohëve të fundit me revistën TIME, presidenti Trump tha se nuk ka nevojë të fitojë mbështetjen e votuesve të pavarur, sepse "baza e tij është shumë e fuqishme". Por cila është përbërja e bazës mbështetëse të presidentit Trump, çfarë i motivon ata, dhe a do të jetë mbështetja e tyre e mjaftueshme për t’i dhënë atij një mandat të dytë? Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara ishte në Orlando të Floridës për nisjen e fushatës së rizgjedhjes së presidentit Trump dhe na dërgoi këtë material.

Një pushim i shkurtër i fushatës Trump në rrethinat e Orlandos në Florida, me një tortë, për të festuar ditëlindjen e 73-të të zotit Trump.

Vullnetarët përqëndrohen në informimin e zgjedhësve, duke synuar votat e tyre për një mandat të dytë të presidentit Trump. Drejtuesja e Partisë Republikane në qarkun Seminole, Linda Trocine kryeson ekipin.

Ajo mbështet politikat ekonomike dhe të emigracionit të presidentit, por thotë se pasioni i saj shtrihet përtej vlerave konservatore.

"Ai është presidenti më pro-amerikan që kemi patur që nga Ronald Reagani”.

Dashuria për vendin është një temë e përsëritur mes përkrahësve të Trump-it.

"Keni parë ndonjëherë një president të ecë në podium dhe të përqafojë flamurin? Është një ndjenjë që babai im ma ka ngulitur si fëmijë, në një moshë shumë të re. Katër korrikun, vendosjen e banderolave, të flamurit", thotë Hillary Courson, vullnetare e fushatës.

"Ne japim më shumë se çdo vend tjetër, për varfërinë në mbarë botën. Dhe s’më pëlqen kur dëgjoj mendimet se Amerika duhet të ndryshojë", thotë Ty Patton, një tjetër vullnetar.

Vëzhguesit thonë se Trump-i është mjeshtër i shfrytëzimit të ndjenjave nacionaliste për të motivuar bazën e tij.

"Pjesë e mesazhit është, ka një mënyrë për t’u dukur amerikanë, ka një mënyrë për të menduar si një amerikan. Është një nocion shumë i ngurtë i nacionalizmit, që është pak e çuditshme në një vend që ka parë kaq shumë diversitet dhe ndryshime demografike si ne", thotë Vanessa Beasley me Universitetin Vanderbilt.

"Nëse kemi tre apo katër vende bosh, lajmet e rreme do të shkruajnë: "Arena nuk kishte shumë njerëz".

Mbështetësit e Trump-it ndajnë pakënaqësinë e tij për mediat dhe përshëndesin postimet e tij të debatueshme në Twitter.

"Ai është mjeshtër për të përcjellë mesazhin e tij dhe për t'i kujtuar njerëzit përse është aty. Është aty për ne", thotë Linda Trocine.

"Ka një lloj linje mendimi tani se baza e tij persekutohet në një mënyrë që vetëm ai e kupton. // Implikimi i kësaj linje mendimi është se ai është i vetmi person që mund të mbrojë interesat e tyre. Dhe askush nuk duhet të flasë për çfarë janë këto interesa? Pasi ai e kupton kaq thellësisht atë për të cilën po lufton, në emër të tyre", thotë Vanessa Beasley me Universitetin Vanderbilt.

Trump humbi votën popullore, por fitoi sipas rregullave të sistemit të kolegjit zgjedhor. Vlerësimi i miratimit për punën e tij është në mesin e 40 përqindshit- diçka që baza e tij refuzon ta besojë, përfshirë Maureen Bailey, e cila u rreshtua dyzet orë përpara tubimit të Trump-it.

"A mendoni se njerëzit do të ishin këtu që në 2:30 të mëngjesit, nëse këto sondazhe ishin të sakta?"

Ndërsa Trump-i vazhdon të ketë 89 përqind të mbështetjes të republikanëve, një mandat i dytë mund të varet nga demokratët.

"Ka dy mënyra se si demokratët mund të rizgjedhin Donald Trump-in. E para është të emërojnë një kandidat të ekstremit të majtë ose një person shumë të papëlqyeshëm që nuk mund të bashkojë shumicën anti-Trump të vendit. Mënyra tjetër është që të fillojnë procedurën për shkarkimin e tij dhe ta kthejnë Donald Trump-in në një viktimë", Whit Ayres me organizatën North Star Research.

Duke e bërë krejtësisht të besueshme se Trump-i mund të fitojë në vitin 2020, veçanërisht nëse ekonomia mbetet e fortë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG