Lidhje

Reagimet ndaj takimit Trump-Kim në zonën e çmilitarizuar


Takimi i tretë mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, shkaktoi reagime pozitive dhe kritika. Kritikët thonë se Presidenti Trump po i kushton vëmendje një diktatori pa marrë asnjë lëshim në lidhje me programin bërthamor të Koresë së Veriut, ndërsa të tjerët e shohin atë si një rreze shprese për një paqe të përhershme në gadishullin Korean.

Shumë njerëz në Korenë e Jugut kanë përjetuar një jetë tensionesh me fqinjin e tyre verior, të shkaktuar nga provat bërthamore të Phenianit, ndarjet nga anëtarët e familjes dhe kërcënimet për përkeqësim të gjendjes. Çdo zhvillim që sinjalizon një mundësi të paqes së përhershme sjell shpresë tek shumë banorë të Koresë së Jugut.

"Edhe pse ky nuk ishte një takim zyrtar, por i papritur, ne e mirëpresim atë. Shpresoj që çarmatimi bërthamor i Gadishullit Korean do të arrihet dhe ne do ta shfyrtëzojmë këtë moment për arritur më afër bashkimit të vendit tonë të ndarë", thotë Cho Sang-hee, banor i Koresë së Jugut.

Por disa koreano-jugorë thonë se përfshirja e Shteteve të Bashkuara po vonon pajtimin dhe ribashkimin mes dy fqinjëve.

"Unë mendoj se Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut nuk duhet t'i kushtojnë më vëmendje Shteteve të Bashkuara dhe të zgjidhin vetë problmet mes tyre", thotë Hwang Yun-mi, banore e Koresë së Jugut.

Kritikët e kanë quajtur takimin një gjest politik pa substancë.

"Mendoj se takimi ishte thjeshtë një ngjarje për të ndihmuar rizgjedhjen e Presidentit Trump dhe mendoj se Presidenti Moon (Jae-in) po përpiqet të përfitojë nga ky takim", thotë Choi Young-chul, pronar biznesi nga Koreja e Jugut.

Kandidati demokrat për president, Bernie Sanders, i tha kanalit televiziv ABC se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për diplomaci reale.

"Unë nuk kam asnjë problem që ai të ulet me zotin Kim Jong Un në Korenë e Veriut apo ndonjë vend tjetër, por nuk dua që takimi të jetë thjesht një mundësi fotografie. Takimi tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave të botës. Çfarë do të ndodh nesër ose në ditën pasuese?"

Ndërsa kandidati tjetër presidencial demokrat, Julian Castro tha se zoti Kim është i vetmi që përfitoi nga takimi i së dielës.

"Kostoja për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë është se takimi po rrit profilin dhe forcën e një diktatori”.

Si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe jashtë ka mbështetës të takimit, të cilët mirëpresin çdo lloj takimi paqësor, përfshirë Papa Françeskun.

"Në orët e fundit kemi parë në Kore një shembull të mirë të kulturës së bisedimeve. Përshëndesim protagonistët, me një lutje se një gjest i tillë i rëndësishëm do të jetë një hap i mëtejshëm në rrugën e paqes, jo vetëm në atë gadishull, por për të mirën e gjithë botës".

Më parë të dielën, Presidenti Trump u bë Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që vuri këmbë në territorin e Koresë së Veriut. Ai më vonë njoftoi se bisedimet e bllokuara bërthamore mes Uashingtonit dhe Phenianit do të rifillonin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG