Për mbi 65 vjet, Fondacioni i Uashingtonit për Tenisin dhe Edukimin (WTEF) u ka ofruar fëmijëve në lagje të varfra qasje në tenis, që shihet shpesh si sport për të privilegjuarit. Duke kombinuar aspektin atletik me elemente akademike, organizata ndihmon fëmijët që të jenë të angazhuar dhe të përqendruar tek mësimet. Që kur u hap në vitin 1955, fondacioni është rritur por misioni i tij ka mbetur i pandryshuar: t’i pajisë fëmijët e moshave 8 deri në 18 vjeç me aftësitë që u duhen në pistën e tenisi dha jashtë saj. Korrespondentja Faiza Elmasry sjell më shumë hollësi për shërbimet falas të WTEF-së.
Andrea Nichelson, që vjen thuajse çdo ditë, është e apasionuar pas tenisit.
"Gjëja që më pëlqen më shumë është vetë loja. Vërtet më tërheq më shumë se çdo gjë tjetër......Më ndez pasionin.”
Me punën e saj në Fondacionin e Uashingtonit për Tenisin dhe Edukimin, Audra Bell ndihmon fëmijët të japin maksimumin.
“Shumë herë, i marrim nga shkolla dhe i sjellim këtu. Gjysmën e kohës bëjnë detyrat, punojnë me një mësues privatë. Kemi program robotikë dhe një grup për vajza.”
Pjesën tjetër të kohës, fëmijët e shpenzojnë duke luajtur tenis.
“Fëmijët transformohen kurdo që angazhohen dhe mësojnë disiplinën, forcën mendore dhe gjithçka që të ofron tenisi. Është vërtet diçka e mrekullueshme”, thotë Audra Bell.
“Kur je në pistë duke luajtur, je vetëm dhe mëson të mbështetesh tek vetja. Është e njëjta forcë, e njëjta energji që duhet të përdorësh në klasë”, thotë Rebecca Crouch-Pelham, Presidente e Fondacionit.
"E përdorin si mjet për t’i tërhequr. U pëlqen. Vijnë çdo ditë këtu, luajnë tenis, por ne presim gjithashtu që të shkëlqejnë edhe nga ana akademike. Kemi këtu edhe profesistë që u rritën duke ndjekur programin dhe tani punojnë si trajnerë tenisi”, thotë Presidentja Rebecca Crouch-Pelham .
Drejtori i tenisit, Mike Ragland është një nga këta profesionistë. Ai thotë se hyrja në program në moshën 13 vjeçare, i ndryshoi jetën.
“Isha përfshirë në gjëra ku nuk duhej të isha i përfshirë dhe i shkaktova vetes mjaft probleme. Kur fillova të luaj tenis, më dha një tjetër drejtim në jetë”.
Falë tenisit, Ragland mori një bursë për në universitet dhe filloi një karrierë si trajner tenisi.
“Kur më morën në telefon dhe më thanë se po ndërtonin këtë qendër dhe donin që të kthehesha prapë për të marrë pjesë në program, doja të kontribuoja”, thotë ai.
“I marrim fëmijët, u flasim për jetën, si të sillen dhe pastaj u japin strukturë diçka e cila t’i shtyjë të ecin përpara”.
“Të mëson të mos dorëzohesh, të ecësh përpara në jetë. Të gjithë këtu janë mirë me mësime dhe kjo është falë mësuesve dhe instruktorëve që kemi këtu”, thotë maturanti Xxavir Boone.
Trajnerët thonë se vetëm disa nga pjesëmarrësit bëhen tenistë profesionistë. Të tjerë dalin shumë mirë dhe marrin bursa të plota, ndërsa pjesa tjetër përfiton baza të forta që i ndihmon të ecin përpara në jetë.
Facebook Forum