Lidhje

SHBA, hetohen njoftimet për një grup racist të agjentëve kufitarë në Facebook


Departamenti i Sigurisë Kombëtare po heton një raport që thotë se agjentë aktualë dhe ish-agjentë të Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi në Facebook me shkrime raciste, seksiste dhe të dhunshme rreth emigrantëve dhe ligjvënësve me origjinë nga Amerika Latine.

ProPublica, një medium investigativ, thotë se postimet përfshijnë imazhe seksualisht eksplicite dhe mesazhe që talleshin me vdekjen e emigrantëve, duke përfshirë imazhin e një burri nga El Salvadori me vajzën e tij dyvjeçare që kohët e fundit u mbytën në një lum në kufirin SHBA-Meksikë.

Ky grup në Facebook quhet "Unë jam 10-15", kodi i Patrullës kufitare për "të huajt e ndaluar".

ProPublica thotë se agjentët reaguan ndaj vdekjes së një djali 16-vjeçar, i cili humbi jetën në burgun e Patrullës Kufitare duke thënë: "punë e madhe nëse ai vdes".

Ata akuzojnë demokratët dhe liberalët për falsifikim të mundshëm të fotografisë, ku shihet babai dhe vajza të shtrirë pranë njëri-tjetrit në buzë

të lumit, duke thënë se kurrë nuk kanë parë viktima të mbytura të duken aq "të pastër".

Mesazhet e tjera dyshohet se përfshinin plane për të hedhur burrito (lloj ushqimi meksikan) mbi anëtarët hispanikë të Kongresit dhe përdorimin e gjuhës profane seksiste për të përshkruar ligjvënëset femra të këtij grupi.

Ligjvënësja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez është një objektiv i preferuar i grupit. Një fotografi e sajuar e tregon atë duke bërë një veprim seksual ndaj Presidentit Donald Trump.

"Si mund të besohet Patrulla Kufitare në kujdesin për refugjatët në mënyrë humane?" thotë Ocasio-Cortez në një shkrim në Twitter.

Kandidatja presidenciale demokrate Elizabeth Warren thotë se komentet nga agjentët janë "krejtësisht të papranueshëm" dhe ka kërkuar shpjegim për këtë çështje.

Ligjvënësi demokrat Joe Kennedy thotë se ato janë "të neveritshme" dhe se agjentët që janë përgjegjës për këto komente duhet të pushohen nga puna.

Shefja e Patrullës Kufitare, Carla Provost thotë se postimet në Facebook janë "krejtësisht të papërshtatshme dhe në kundërshtim me nderin dhe integritetin që shoh dhe presim nga agjentët tanë çdo ditë".

Ajo tha se çdo punonjës që është pjesë e këtij grupi do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre.

Sindikata që përfaqëson agjentët gjithashtu ka dënuar postimet dhe thotë se ato shkaktojnë një "dëmë të madh" ndaj shumicës dërrmuese të punonjësve që bëjnë punën e tyre me nder.

Sipas Agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit, punonjësve u ndalohet të bëjnë "deklarata abuzive, mashtruese, profane ose

ngacmuese, gjeste" ose shfaqje të urrejtjes bazuar në racën, ngjyrën, fenë, gjininë ose orientimin seksual të një personi.

Kur u pyet rreth këtyre njoftimeve të hënën, Presidenti Donald Trump tha se personeli i Patrullës Kufitare përbëhet nga "patriotë" dhe "njerëz të mëdhenj".

"Unë nuk e di se çfarë thonë ata për anëtarët e Kongresit. E di që Patrulla Kufitare nuk është e kënaqur me demokratët në Kongres", tha ai. "Unë do të them se republikanët duan që në kufi të ketë siguri".

Ocasio-Cortez ishte pjesë e një delegacioni të Grupit të ligjvënësve Hispanikë të Kongresit, i cili vizitoi dy stacione Patrullës Kufitare përgjatë kufirit SHBA-Meksikë ku, sipas avokatëve, ka patur njoftime se emigrantët po mbahen në kushte të papërshtatshme.

Ajo i përshkroi kushtet si "të tmerrshme".

"Është e vështirë të nënvlerësojmë madhësinë e problemit. Bëhet fjalë për mizori sistemore me një kulturë çnjerëzore që i trajton ata si kafshë," shkruante Ocasio-Cortez në Twitter.

Ligjvënësi Joaquin Castro tha se shumë nga emigrantët me të cilën kanë folur njoftuan se kishin kaluar 15 ditë pa u larë. Disa të tjerë thanë se ishin mbajtur për 50 ditë dhe ishin ndarë nga fëmijët e tyre.

"Ata na kërkuan t’i shënonim emrat e tyre dhe t’u tregonin të gjithëve se kanë nevojë për ndihmë. Ata gjithashtu kishin frikë nga ndëshkimi," tha ligjvënësi Castro në një shkrim në Twitter. "Të gjithë amerikanët duhet të ndihmojnë për të ndryshuar këtë sistem".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG