Lidhje

Presidenti Trump sulmon ambasadorin britanik në Uashington


Presidenti Donald Trump e quajti sot ambasadorin britanik në Uashington Kim Darroch "një njeri të trashë", në përpjekje për të shpërfillur vlerësimet negative të diplomatit të lartë për udhëheqësin amerikan.

Theresa May thotë se ambasadori i vënë në pozita të vështira i Britanisë në Uashington ende gëzon "mbështetjen e saj të plotë" - pavarësisht kritikave të presidentit amerikan Donald Trump për Kim Darroch, i cili e përshkruan udhëheqësin amerikan në kabllot e rrjedhura diplomatike si "të paaftë dhe jokompetent ", duke i vënë në siklet zyrtarët britanikë.

Pavarësisht mbështetjes së zyrës së Kryeministres për ambasadorin, zyrtarët britanikë pranojnë privatisht se diplomati i tyre i lartë në Uashington do të duhet të zëvendësohet së shpejti, nëse do të duhet të vihen nën kontroll pasojat politike nga kabllot dhe të shmanget çdo dëmtim i përhershëm i marrëdhënieve anglo-amerikane.

Të hënën, presidenti Trump shkroi në Twitter se "nuk do të merrej më" me Darroch-in, i cili sipas tij nuk ishte "i pëlqyer apo i vlerësuar mirë brenda SHBA-ve". Më parë ai shkroi se Darroch "nuk i kishte shërbyer mirë Britanisë së Madhe".

Një zëdhënës i kryeministrisë tha se ndërsa ambasadori Darroch "vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Kryeministres," ajo nuk ndan vlerësimet e tij për administratën Trump.

Britania po përpiqej të hënën të gjente burimin e rrjedhjes së informacionit të kabllove diplomatike nga Uashingtoni, në të cilat Presidenti Donald Trump përshkruhet si "i paaftë", "i pasigurtë" dhe "jokompetent" ndërsa administrata e tij si "jofunksionale".

Londra, një aleate e vjetër dhe e afërt e Shteteve të Bashkuara, u vu në pozitë të vështirë nga zbulimi i vlerësimeve negative për liderin amerikan, të bëra nga ambasadori Kim Darroch, i dërguari i saj i lartë në Uashington që nga viti 2016, por nuk e mohoi saktësinë e tyre pasi ato u publikuan në Britani gjatë fundjavës.

"Kemi kontaktuar administratën Trump, dhe i kemi paraqitur pikëpamjen tonë se rrjedhja e informacionit është e papranueshme", u tha gazetarëve zëdhënësi i Kryeministres Theresa May. "Është, padyshim për të ardhur keq që kjo ka ndodhur."

FILE - Britain's Secretary of State for International Trade, Liam Fox arrives for a Brexit subcommittee meeting at Downing Street in London, Britain, May 2, 2018.
FILE - Britain's Secretary of State for International Trade, Liam Fox arrives for a Brexit subcommittee meeting at Downing Street in London, Britain, May 2, 2018.

Ministri i Tregtisë Liam Fox, i cili po viziton Uashingtonin, i tha radios BBC se do t’i kërkojë ndjesë Ivanka Trump-it, vajzës së presidentit dhe një nga këshilltaret e tij, të cilët ai do të takojë së shpejti.

"Do të kërkoj falje për faktin se as shërbimi ynë civil apo elementë të klasës sonë politike nuk kanë arritur pritshmëritë tona apo të Shteteve të Bashkuara për sjelljen e tyre, që në këtë rast ka dështuar në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe të papranueshme," tha ai. "Rrjedhjet e dëmshme të informacionit të kësaj natyre ... në të vërtetë mund të çojnë në një dëmtim të marrëdhënies dypalëshe, gjë që mund të ndikojë në interesin tonë më të gjerë të sigurisë".

Informacionet e rrjedhura ishin të hartuara për sytë e ministrave të lartë britanikë dhe nëpunësve civilë, por zyrtarët besojnë se personi që ka nxjerr informacionin është mes politikanëve apo zyrtarëve britanikë dhe jo në një qeveri të huaj.

Është e mundur që personi që ka nxjerr informacionin të akuzohet për shkelje të Aktit të Sekreteve Zyrtare të vendit, i cili ndalon zbulimin e materialeve të klasifikuara, megjithëse ndjekjet penale për raste të tilla janë të rralla.

British Ambassador
British Ambassador

Zëdhënësi i zonjës May, James Slack tha se kryeministrja kishte "besim të plotë" tek ambasadori Darroch, por nuk pajtohej me vlerësimin e tij për zotin Trump dhe presidencën e tij. Zoti Slack tha se ambasadorët e huaj punësohen për të dhënë "vlerësime të ndershme dhe të drejta" të politikës dhe të zyrtarëve në vendet ku ata shërbejnë.

Në një koleksion komunikimesh diplomatike nga viti 2017 deri në javët e fundit, ambasadori Darroch thotë: "Nuk besojmë se kjo administratë do të bëhet shumë më normale, më pak jofunksionale, më pak e paparashikueshme dhe më pak diplomatikisht e ngathët dhe e paaftë".

Pasi mësoi rreth komenteve të zotit Darroch, presidenti Trump tha se ambasadori "nuk I ka shërbyer mirë Britanisë, dhe ‘mund t'ju them se nuk jemi entuziastë të mëdhenj të atij njeriu".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG