Lidhje

Uashingtoni paralajmëron Iranin


Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se Irani nuk duhet të verë në provë durimin e Amerikës, ndërsa prodhon materiale bërthamore në sasi dhe cilësi që i kalojnë kufijtë e vendosur në marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015. Reagimi vjen ndërkohë që inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike vertetuan se Irani shkeli kufirin e përcaktuar në marrëveshjen bërthamore e cila kishte për synim që Teherani të mos prodhonte armë bërthamore.

Irani thotë se do të shkelë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga ajo vitin e kaluar. Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga Zëvendëspresidenti Mike Pence.

“Irani nuk duhet të ngatërrojë qëndrimin e përmbajtur amerikan me mungesë të vëndosmërisë amerikane. Shpresojmë për më të mirën, por Shtetet e Bashkuara dhe ushtria jonë janë të gatshme të mbrojnë interesat, përsonelin dhe shtetasit amerikanë në rajon. Do të vazhdojmë të kundërshtojmë influencën malinje të Iranit, do të vazhdojmë presionin ndaj ekonomisë së tyre dhe nën Presidentin Donald Trump, Amerika nuk do të lejojë kurrë Iranin të ndërtojë armë bërthamore.”

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton bëri një paralajmërim të ngjashëm.

“Do të vazhdojmë shtimin e presionit ndaj regjimit iranian deri sa ai të braktisë programin e armëve bërthamore dhe u jep fund aktiviteteve të dhunshme në Lindjen e Mesme, përfshi veprimet dhe mbështetjen për terrorizmin në botë.”

Një drejtues i lartë ushtarak iranian tha se vendi i tij nuk po kërkon luftë me asnjë vend. Ai tha se Irani po u bën thirrje vendeve nënshkruese të marrëveshjes bërthamore që të gjejnë një rrugëdalje nga sanksionet paralizuese amerikane përfshi eksportin e rëndësishëm të naftës. Bashkimi Evropian dhe Rusia shprehën shqetësime lidhur veprimet iraniane për pasurimin e uraniumit. Rusia gjithashtu ka fajësuar Shtetet e Bashkuara për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore vitin e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG