Lidhje

Gjykata e Apelit nuk lejon presidentin Trump të bllokojë kritikët në Twitter


Një gjykatë amerikane federale e apelit vendosi që Presidenti Donald Trump nuk mund të heshtë kritikët në llogarinë e tij të Twitter-it, duke thënë se bllokimi i tyre shkel të drejtën kushtetuese të lirisë sër fjalës.

Gjykata e Dytë e Apelit në Manhattan vendosi me një vendim 3-0 të martën, se Amendamenti i Parë i Kushtetutës e ndalon Trump-in të bllokojë kritikët nga llogaria e tij që është një platformë publike.

Në emër të panelit prej tre gjyqtarëve, gjykatësi Barrington Parker shkruan "Amendamenti i Parë nuk lejon një zyrtar publik që shfrytëzon një llogari të mediave sociale për të gjitha llojet e qëllimeve zyrtare, të përjashtojë persona nga një dialog i hapur në internet, për shkak se ata shprehin pikëpamje me të cilat zyrtari nuk pajtohet ".

Presidenti Trump e ka përdorur llogarinë e tij të Twitter-it, që ka më shumë se 60 milionë ndjekës, për të promovuar axhendën e tij dhe për të sulmuar kritikët.

Gjykata vendosi për një padi të paraqitur nga Instituti i Kalorësve të Amendamentit të Parë të Universitetit Columbia në emër të shtatë personave të cilët u bllokuan nga presidenti Trump pasi kritikuan politikat e tij.

Vendimi mbajti në fuqi një vendim të majit 2018 nga Gjykata për Qarkun Jugor të Nju Jorkut. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se vendimi ishte "krejtësisht i keqkuptuar", duke argumentuar se presidenti Trump e përdor llogarinë e tij në Twitter në kapacitetin e një individi privat për të shprehur pikëpamjet e tij dhe jo si një forum për diskutime publike.

Administrata Trump nuk ka komentuar menjëherë për vendimin, ashtu sikurse edhe kompania Twitter, apo paditësit.


Facebook Forum

SHBA

XS
SM
MD
LG