Lidhje

Roli i të ushqyerit në rimëkëmbjen nga sëmundja


Kur njerëzit janë duke marrë veten nga një sëmundje apo lëndim, atyre nuk u shkon mendja shpesh tek mënyra e të ushqyerit. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, çelësi i rimëkëmbjes mund të jetë pikërisht ky aspekt.

Kur Monika McComb u kthye në shtëpi nga spitali, asaj nuk i shkoi mendja tek ushqyerja si diçka thelbësore për shërimin e saj të plotë.

"Isha jashtëzakonisht e dobët. Mezi ecja edhe me bastun”, thotë ajo.

Zonja McComb nuk e lidhi dobësinë e saj me mungesën e ushqyerjes derisa bëri një vlerësim mjekësor.

"Kequshqyerja është e pakapshme me sy dhe prandaj mbetet e padiskutuar dhe e patrajtuar”, thotë Dr. Suela Sulo, studiuese në kompaninë Abbott.

Zonja McComb u regjistrua në një program për kujdes shëndetësor në shtëpi dhe iu dha një plan i detajuar ushqimi.

Shumë amerikanë kanë qasje tek ushqimi, por një ndër tre pacientë që marrin kujdes shëndetësor në shtëpi, janë të kequshqyer ose kanë mungesa ushqimore që vë në rrezik shëndetin dhe rimëkëmbjen e tyre.

"Ushqyerja nuk është arsyeja kryesore se pse pacientët përdorin shërbimet shëndetësore në shtëpi. Por, është e rëndësishme që t’i kushtojmë rëndësi në mënyrë që të rimëkëmben më shpejt”, thotë Katie Riley, e kompanisë “Aurora Health”.

Studiues të kompanive “Abbott” dhe “Advocate Health Care” donin të gjenin një mënyrë për të reduktuar shtrimet në spital dhe për të nxitur shëndetin e pacientëve.

Në një studim të financiar nga “Abbott”, studiuesit arritën në përfundimin se kur pacientët informohen për ushqyerjen, ata kanë 20 për qind më pak gjasa të shtrohen apo të kthehen në spital, në 90 ditët pas një lëndimi ose sëmundjeje.

"Duke identifikuar pacientët që rrezikojnë kequshqyerjen, duke u dhënë atyre pijet e duhura me elementë ushqyes, rriten shanset që ata të shërohen më shpejt, madje as të mos shtrohen në spital”, thotë dr. Sulo.

Një nga synimet e studimit, ishte që të krijohej një program që pacientët ta ndiqnin vetë, një nga arsyet që pacientët u edukuan lidhur me ushqyerjen.

"Shëndeti i tyre përmirësohet, kanë më shumë fuqi, shërohen më shpejt, rrëzohen më rrallë, dhe kthehen më pak në spital”, thotë specialistja e dietave, Gretchen VanDerBosch.

Studiuesit shpresojnë se programe të tjera të kujdesit shëndetësor dhe spitalet mund ta përdorin studimin për të ndihmuar pacientë të tjerë.

Zonja McComb thotë se ndjehet më e fortë dhe ka më shumë energji sesa në fillim të programit. Ajo ia atribuon përmirësimin e shëndetit mbështetjes nga infermierja që kujdeset për të në shtëpi dhe kujdesit në ushqyerje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG