Lidhje

Kancelarja Merkel përjeton përsëri dridhje


Kancelarja gjermane Angela Merkel këmbëngul se ajo ndihet mirë pavarësisht se përjetoi sërish, por për një kohë të shkurtër dridhje të trupit gjatë një paraqitjeje publike të saj.

Të mërkurën zonja Merkel nisi të dridhej gjatë një pritjeje të zhvilluar në Berlin për Kryeministrin finlandez Antti Rinne, incidenti i tretë i kësaj natyre në më pak se një muaj.

Rreth një orë më vonë në një konferencë për shtyp ajo u tha gazetarëve se ndihej "shumë mirë" dhe se nuk kishte "vend për t'u shqetësuar".

Zonja Merkel tha se episodet e mëvonshme ishin pasojë e ndikimit psikologjik që i kishte lënë incidenti i parë. Gjatë një ceremonie në 18 qershor në krah të presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenskiy, zonja Merkel u pa të dridhej për një kohë të shkurtër, situatë që u përsërit më 27 qershor në pallatin e presidentit gjerman në ceremoninë e betimin të ministrit të ri të drejtësisë.

"Do të më duhet të jetoj me këtë gjë për një kohe" tha zonja Merkel.

Gjendja shëndetësore e figurave publike në Gjermani konsiderohet përgjithësisht si një çështje private për shkak të ligjeve të forta mbi privatësinë.

Nuk dihet nëse zonja Merkel ka ndonjë problem shëndetësor, por udhëheqësja e vendit me ekonominë më të madhe në Evropë ka gëzuar një shëndet relativisht të mirë ndër vite.

Zonja Merkel, e cila mbush 65 vjeç javën që vjen, konsiderohet nga shumë njerëz si gruaja më e fuqishme në botë. Ajo ka thënë se do të largohet nga politika në fund të mandatit të saj në vitin 2021.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG