Lidhje

Vazhdojnë polemikat pas komenteve të presidentit mbi ligjvënëset demokrate


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vazhdoi të jetë i fokusuar tek disa anëtarë të Kongresit të hënën, pasi u kritikua ashpër për një seri mesazhesh në Twitter ku ai u duk se sugjeronte që katër ligjvënëse me ngjyrë “të kthehen dhe të ndreqin vendet nga kanë ardhur, të cilat janë krejtësisht të shkatërruara dhe të mbizotëruara nga krimi”.

Sot Presidenti Trump shkruajti më tej: “Kur do t’i kërkojnë falje vendit tonë Ligjvënëset e së Majtës Radikale, popullit të Izraelit dhe Zyrës së Presidentit, për termat e ulëta që kanë përdorur dhe për gjërat e tmerrshme që kanë thënë”.

Nga të katërta ligjëvënëset që duket se ishin në epiqendër të mesazhit të të tij fillestar, vetëm njëra ka lindur jashtë vendit – Ligjvënësja e shtetit Minesota Ilhan Omar, e lindur në Somali. Tre të tjerat janë të lindura në Amerikë: Ayanna Pressley (përfaqësuese e shtetit Massachusetts) ka lindur në Cincinnati të Ohajos; Alexandria Ocasio-Cortez ka lindur në Nju Jork (përfaqësuese e pjesës lindore të lagjes Bronx dhe për një pjesë të lagjes Queens); si dhe Rashida Tlaib, e shtetit Michigan, e lindur në Detroit.

[[https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1150381394234941448 ]]

Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende pyetjes së Zërit të Amerikës nëse Presidenti kishte dijeni përpara se të shkruante mesazhin në Twitter, se tre nga katër ligjvënëset janë amerikane të lindura në SHBA.

Progresistët janë përfshirë në debate me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësueve, Nancy Pelosi, për politikat e emigracionit dhe çështje të tjera. Mosmarrëveshja ka tërhequr vëmendjen e Presidentit Trump gjatë ditëve të fundit, duke e shtyrë atë që të ofrojë madje një mbështetje të rrallë publike për zonjën Pelosi, të paktën për përpjekjen e saj për të frenuar katërshen e ligjvënëseve të sapozgjedhura.

Mesazhet e para në Twitter të Presidentit Trump për anëtaret e reja të Kongresit, të njohura me emrin “skuadra”, u postuan rreth 20 minuta pasi kanali Fox News transmetoi një reportazh special për to. Presidenti ka reaguar në të kaluarën me shpejtësi në mediat sociale, pasi ka parë diçka në kanalin Fox.

Zonja Omar në veçanti ka qenë objekt i shpeshtë i mbulimit kritik nga ky kanal televiziv kabllor, pjesërisht për shkak të kritikave të saj të shpeshta ndaj Izraelit dhe komentet e perceptuara si anti-semite.

Zonja Omar dhe zonja Tlaib janë dy gratë e para myslimane që shërbejnë në Kongresin amerikan.

Në një përgjigje në Twitter për Presidentin të dielën, zonja Omar i kujtoi atij se Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend në të cilin anëtarët e Kongresit bëjnë betim.

“Prandaj po përpiqemi ta mbrojmë nga më e keqja, nga presidenti më i korruptuar dhe më i paaftë që kemi parë ndonjëherë”, shtoi Ligjvënësja nga Minnesota.

[[https://twitter.com/IlhanMN/status/1150452310813921280]]

Shumë të tjerë po dënojnë mesazhin në Twitter të Presidentit, që duket se ka kaluar një kufi të ri edhe krahasuar me komentet e mëparshme provokuese të presidentit.

Ndër më të dukshmit është kryetarja Pelosi, e cila e quajti mesazhin e Presidentit Trump ksenofobik, “me qëllimin për të përçarë vendin tonë” dhe “që konfirmon se plani i tij ‘Ta Bëjmë Amerikën Sërish Madhështore’ ka qenë gjithnjë për ta bërë Amerikën sërish të bardhë”.

[[https://twitter.com/SpeakerPelosi/status/1150408691713265665]]

“Je i zemëruar pasi nuk mundesh ta perceptosh një Amerikë ku përfshihemi edhe ne” iu përgjigj Presidentit në Twitter Ligjvënësja Ocasio-Cortez. “Ti mbështetesh për plaçkitjen tënde tek një Amerikë e frikësuar”.

[[ https://twitter.com/AOC/status/1150445185438035968 ]]

“Ai po vërteton se është racist”, i tha kanalit MSNBC, Ligjvënësi nga Kalifornia Ted Lieu, një demokrat që lindi në Tajvan dhe u rrit në Cleveland, të shtetit amerikan Ohajo.

“Nuk ka mbetur më gjë për t’u gjykuar për Trump-in, tashmë që nuk ka më asnjë pikëpyetje se kush është ai dhe çfarë përfaqëson”, tha ish-zëdhënësja e Komitetit Kombëtar Republikan, Cheri Jacobus, një kritike e shpeshtë e Presidentit.

Edhe Kryeministrja britanike Theresa May ofroi pikëpamjen e saj për situatën duke u shprehur sot se komentet e Presidentit Trump ishin “krejtësisht të papranueshme”.

Presidenti nuk u ka kushtuar vëmendje kritikave. Të dielën ai u shpreh në një postim në Twitter se “Është për të ardhur keq që demokratët po mbështesin individë që flasin keq për vendin tonë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG