Lidhje

Ish zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi thirret në Hagë


Ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha të shtunën se është thirrur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Posaçme në Hagë për t’u paraqitur më 24 korrik, por nuk e bëri të qartë se në çfarë cilësie është thirrur atje.

Jakup Krasniqi thirret në Hagë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Zoti Krasniqi, i cili pas luftës ka shërbyer në poste të lartë politike në vend, përfshirë edhe postin e kryetarit të parlamentit, tha të shtunën se “pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike”.

Pas njoftimit të tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale mes tjerash se “si president i vendit, si bashkëluftëtar, e çmoj shumë gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Duke bashkëpunuar me drejtësinë ndihmojmë që të ngadhënjejë e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që, njëjtë sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate”.

Thirrja për zotin Krasniqi u bë publike një ditë pasi që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “thirrja për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.

Dorëheqja e zotit Haradinaj ka krijuar një situatë të re në Kosovë, ndërsa nxiti shumë reagime. Departamenti amerikan i shtetit në një deklaratë për Zërin e Amerikës, përgëzoi respektimin nga ana e tij të thirrjes për t'u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Zoti Haradinaj u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Çështja tash i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend, por opozita edhe dje edhe sot hodhi poshtë çdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike.

Pas dorëheqjes së kryeministrit, Kosova nuk ka qeveri dhe LDK kërkon nga presidenti që t’i nis konsultimet për datën e zgjedhjeve...Sa i përket LDK-së, ne s’pranojmë asnjë zgjidhje tjetër përpos shkuarjes në zgjedhje edhe ne konsiderojmë se prej ditës së sotme vendi është në zgjedhje”, tha Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Presidenti Thaçi duhet të na thërrasë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kaq. I bëj thirrje të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Kosova sot nuk ka qeveri. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re. Mirëpo, për këtë duhet të flasin qytetarët njëherë. Qytetarët duhet të zgjedhin. Qytetarët duhet të përcaktohen”, tha Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje.

Presidenti Thaçi tha shkurt në një njoftim se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Kushtetuta parasheh mundësinë që ai t’i ofrojë një kandidati tjetër nga shumica parlamentare mundësinë e themelimit të qeverisë, por gjykuar nga rrethanat aktuale mundësia më reale duket shkuarja në zgjedhje të reja.

Dorëheqja e zotit Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën. Një qëndrim të tillë e ritheksoi të shtunën presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se dorëheqja e kryeministrit Haradinaj mund të zvarris më tej përpjekjet për ripërtëritjen e bisedimeve.

"Dorëheqja e Ramush Haradinajt, kur flasim për aspektin politik, është një mashtrim politik nëpërmjet të cilit ai synon më shumë popullaritet, të shkelë rivalët e tij politik dhe mund të forcojë pozicionet e skajshme të shqiptarëve të Kosovës. Kur te kthehet si hero për Kosovën, askush nuk do të mund të matet me të”, tha presidenti serb duke shprehur bindjen se nuk do të ketë ndonjë akuzë ndaj tij.

Zoti Haradinaj dhe zoti Krasniqi janë zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë paraqitur rreth 50 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara do të veprojë në Hagë, me ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG