Lidhje

SHBA e BE, mbështetja për Reformën në Drejtësi do të vazhdojë


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian do të vijojnë t’i japin një mbështetje të fortë Reformës në Drejtësi, e cila ndodhet në fazën e zbatimit. Tre vjet pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë realzimit të kësaj reforme, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Leyla Moses-Ones, deklaroi të hënën në mbrëmje se “Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj”.

Diplomatja amerikane i bëri këto komente gjatë ceremonisë së përurimit të Polit të Drejtësisë, godina moderne në të cilën do të jenë zyrat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dy institucionet e reja të parashikuara nga reforma. E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe Drejtoresha për Balkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera, e cila kryeson dhe Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) organi i përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë amerikane dhe europiane që ndjek nga afër dhe mbështet procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

“BE e ka mbështetur Reformën jo vetëm financiarisht, por dhe me përkrahje në të gjithë aspektet e saj e në ndryshimet kushtetuese. Ndaj në kemi inkuruajur zbatimin e Reformës që të ecte vetëm në një drejtim, në konsolidimin e një sistemi të pavaruar, llogaridhënës dhe transparent dhe në interesin e gjithë qytetarëve. Mbështetja jonë do vijojë sidomos tani që zbatimi ka arritur një moment kyç”, u shpreh zonja Calavera, ndërsa më pas në një postim në Tëitter do të njoftonte se mbështetja e Brukselit do të vijonte me 42 milion euro të tjera.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi është shoqëruar me polemika të shumta, madje dhe me kritika. Presidenti Ilir Meta, por dhe opozita, akuzojnë shumicën se synon kontrollin e sistemit, ndërsa sjellin si shembull bllokimin e Gjykatës Kushtetuese apo dhe të Gjykatës së Lartë, për hkak se anëtarët e tyre nuk mundën të kalojnë procesin e rivlerësimit. “Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve”, theksoi e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane Moses-Ones.

Ndërkohë që pritet ngritja e institucioneve të tjera të Drejtësisë, si Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria speciale antikorrupsion, SPAK si dhe Byroja e Hetimit, BKH “duhet të jemi krenar për cfarë është arritur deri më tani. Një proverb thotë se “Roma nuk u ndërtua në një ditë. Një reformë e tillë nuk mund të bëhet në një ditë, por do vite përkushtim, angazhim të plotë e mbi të gjithë integritetin më të lartë të mundëshëm. Të gjitha institucionet e reja përbëjnë një shans historik për Shqipërinë. Kjo reformë është mundësia për të çelur derën e Shqipërisë për në BE, dhe për këtë arsye nuk mund të humbasim këtë shans historik”, nënvizoi nga ana e saj zyrtarja e lartë europiane.

“Kam besim se fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frytet po vijnë. Detyra jonë është të bëjmë të mundur që të mos vonohen”, vuri në dukje në fjalën e tij kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi. “Ne ishim të vetdijshëm se po ecnim në një rrugë të gjatë. Sot mund të themi se kemi ecur mjaftueshëm për të mos u kthyer pas”, theksoi nga ana e saj Naureda Llagami, drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Më herët, gjatë ditës, Parlamenti bëri publik botimin e dy vëllimeve të posaçme në të cilat janë përmbledhur aktet zyrtare të procesit të Reformës. Në një takim ku merrnin pjesë drejtuesit e parlamentit, anëtarët e komisionit ad hoc të Reformës si dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që ndihmuan në procesin e realizimit të saj, kryetari Gramoz Ruçi theksoi se “Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme”.

Nga ana e tij, deputeti Fatmir Xhafa, i cili drejtoi të gjithë procesin e Reformës, deklaroi se se me anë të saj “po ngrihet mbi një bazament të ri, jo thjesht një institucion, por një pushtet tërësisht i ri, paralelisht me funksionimin e pushtetit të vjetër e të korruptuar”.

Në një postim në Facebook, presidenti Ilir Meta, i cili ka drejtuar kritika të ashpra ndaj mënyrës së zbatimit sipas tij të Reformës në Drejtësi, u shpreh se ndihej “krenar që 3 vjet më parë, në detyrën e Kryetarit të parlamentit, kishte këmbëngulur për miratimin me konsensus të plotë të Reformës në Drejtësi, për të mos lejuar – sipas thekson ai - kapjen e sistemit përmes ndryshimeve kushtetuese”

Ndërsa kryeministri Edi Rama, përmes Tëitter-it, nënvizoi se “3 vjet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e saj, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane”, shkruajti zoti Rama.

Në mbrëmje pritet të zhvillohet një tjetër aktivitet ku është parashikuar dhe pjesmarrja e Genoveva Luiz Calavera-s, Drejtoresha për Ballkanin në Bruksel, e cila drejton dhe Operacionin ndërkombëtar të monitorimit, organin që ndjek nga afër zbatimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG