Lidhje

OSBE: "Amendamenet mbi mediat duhen rishikuar sërish"


Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i dërgoi sot kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, një analizë ligjore mbi amendamentet e mbiquajtura “paketa antishpifje”.

“AMA ose çdo organ tjetër administrativ ose rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten kompetencë e gjykatave” - tha Désir.

Amendamente në ligjet për mediat audiovizive dhe komunikimet elektronike si dhe në dispozita të tjera të lidhura me rregullimin e materialeve që shpërndahen nëpërmjet internetit u miratuan në një nga mbledhjet e fundit të qeverisë 3 javë më parë.

Qarqet mediatike shqiptare shprehën shqetësim dhe po protestojnë prej shumë muajsh mbi përgatitjen pa transparencë nga qeveria të një grupi ndryshimesh ligjore të mbiquajtura prej saj si paketa anti-shpifje.

Qeveria tha se e ndërmori këtë hap për të shmangur lajmet e rreme, duke sjellë rregullime në ligjet për shërbimet e medias, si dhe publikimeve elektronike.

Ata thonë se Shqipëria nuk ka problem masiv lajmet e rreme nga mediat, por probemi më i madh janë lajmet e rreme dhe propaganda që përhap qeveria, e cila kopjon ligje nga vende me tendenca autokratike si Rusia.

Zoti Desir i OSBE-së i shkroi sot kryeministrit Rama se është i shqetësuar rreth kompetencave që i jepen AKEP-it në amendamentet mbi Ligjin për Komunikimet Elektronike, lidhur me marrjen e masave për mbrojtjen e një game të gjerë interesash, ku përfshihen interesat e vendit, siguria publike, të drejtat themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin ligjor shqiptar.

“Këto nocione përkufizohen shumë gjerësisht dhe mund të bien në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, si dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për të garantuar mbrojtjen e lirisë së shprehjes” - tha zoti Desir.

Ai theksoi se neni 133 i këtij projektligji parashikon gjoba me vlerë të lartë monetare, në raste shkeljesh.

“Projektligji nuk përmban më dispozitën e varianteve të mëparshme, e cila i jepte AMA-s kompetenca të gjera dhe të pakufizuara bllokuese në rastet e “shkeljeve të dispozitave të këtij ligji”, duke i kufizuar ato vetëm në rastet e veprave penale të pornografisë me të mitur, nxitjes së akteve terroriste apo cenimit të sigurisë kombëtare” - shtoi përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, në letrën drejtuar kryeministrit të Shqipërisë.

Qeveria i miratoi këto amendamente ligjore ditët e para të korrikut, pasi përcolli një mision prej 7 organizatash ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat raportuan për një përkeqësim të gjendjes dhe lirive të mediave shqiptare.

Në raportin e tyre ato i quajtën masat e reja për regjistrim të detyruar të medias në internet dhe krijimin e një organi për të gjobitur dhe mbyllur median online e atë të huaj pa një urdhër gjykate, si hapa që bien në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe mund të kenë ndikim të dëmshëm mbi lirinë e shprehjes e të informimit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.

“Në takimin tonë me kryeministrin, ai na informoi se një version i ri i përditësuar i projektit të amendamenteve do të bëhet publik së shpejti pas kritikave ndërkombëtare. Ai deklaroi se në draftin e ardhshëm mundësia për mbyllje do të eliminohet dhe gjobat do të jenë shumë më të ulëta se sa ishin në projektin fillestar. Ne i mirëpresim këto ndryshime dhe rikujtojmë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që thonë se "shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyruar të medias online si parakusht për punën e tyre për shkak se kjo mund të ketë efekt shumë negativ mbi lirinë e medias” - thuhet në raportin e 7 organizatave.

Sipas tyre, qeveria duhet të sigurohet që ky legjislacion të jetë tërësisht në përputhje me praktikat më të mira të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe praktikat më të mira të BE-së.

“Ne jemi të shqetësuar mbi mungesën në vijimësi të transparencës në lidhje me konsultimet mbi projektligjin, i cili u prezantua përgjatë pushimeve të dimrit dhe iu dha një periudhë ekstremisht e shkurtër konsultimi. Ne inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë të sigurojë që të ndërmerret një proces kuptimplotë konsultimi me gazetarët dhe shoqërinë civile me draftin tjetër të amendimeve” - deklaruan së bashku në një raport 7 organizatat, që vizituan Shqipërinë, Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO).

Ministria e drejtësisë deklaroi në fillim të muajit se shoqëria shqiptare është shqetësuar nga përhapja e lajmeve të pavërteta, që cënojnë jetën dhe dinjitetin e familjarëve.

“Platformat online nuk janë transparente dhe as të regjistruara, ndaj ligjet po rishikohen për të shmangur keqinformimin dhe lajmet e rreme” - thuhet në deklaratën e ministrisë.

Por përfaqësues të medias shqiptare thonë se amendamentet e treguara në dhjetor u përshkruan nga organizatat ndërkombëtare si antidemokratike, ato nuk konsultohen me mediat dhe përfaqësues të medias, ndaj qëllimi i qeverisë është t’u mbyllë gojën mediave online, ndërkohë që amendamentet e reja shtrënguese nuk prekin median online personale të vet kryeministrit.

Qeveria tha se me paketën anti-shpifje, ajo po ndërhyn në ligjin për mediat audio-vizive, për komunikimet elektronike dhe për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe në një vendim për mbrojtjen e fëmijëve.

Sipas saj, ndërhyrja parashikon masa të shpejta mbi ankesat për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që ankohen për lajme të rreme dhe krijimin e një regjistri me këto media online si persona të tatueshëm. Qeveria thotë se regjistrimi i portaleve i shërben transparencës, shmangies së konfliktit të interesit, ndikimit të papërshtatshëm të politikanëve, pavarësisë së gazetarëve dhe pluralizmit të medias.

Por gazetarët që po protestojnë kundër amendamenteve thonë se situata e mediave është shqetësuese dhe joserioze.

Sipas tyre, kjo është një paketë absurde e një qeverie që ka humbur çdo kontakt me realitetin, derisa ligjet që ajo që po miraton ndaj mediave nuk ekzistojnë në asnjë vend europian, por vetëm në Rusi dhe Bjellorusi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG