Lidhje

Kandidati për kryeprokuror, Çela, kalon Vettingun


Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, njëkohësisht një nga katër kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, kaloi sot testin e rivlerësimit. Prokurori Çela kaloi pa asnjë problem procesin e rivlerësimit, në të 3 kriteret e tij, atë formimit profesional, të pastërtisë së figurisë si dhe të pasurisë, kriter i cili ka qenë shkak që ka çuar në shkarkimin e pjesës dërmmuese të gjykatësve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar rivlerësimit.

Me një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të cilën e ka drejtuar dhe për disa vite, zoti Çela shihet si ndër favoritët kryesorë për të marrë në dorë drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Në garë është dhe Prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj , dhe avokati Lulzim Allushaj si dhe drejtuesja aktuale e Prokurorisë së Përgjithshme Arta Marku. Kjo e fundit u emërua nga parlamenti me një mandat të përkohshëm në dhjetor të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe ajo ka qenë në shënjestër të kritikave, sidomos të opozitës, për zvarritje sipas kësaj të fundit, të hetimeve në çështje ku rezuton të implikuar eksponentë socialist, ndërkohë që dhe disa emërime apo lëvizje prokurorësh nga ana e saj janë shoqëruar, shpesh me polemika.

Procesi i përzgjedhjes pas aktit të sotëm, hyn në fazën finale. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duhet të presë vetëm zbardhjen e vendimit të Komisionit, si dhe kohën brenda së cilës Komisioneri Publik vendos të ankimojë ose jo rastin e zotit Çela, dhe duhet të nisë me intervistimet e të katër kandidatëve në garë, e më pas vlerësimin e tyre në bazë dhe të një sistemi pikësh. Në fund do të jetë parlamenti ai që do të marrë vendimin përfundimtar. Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon një shumicë të cilësuar me 3 të pestat e parlamentit. Në rast se ku quorum nuk arrihet, atëherë automatikisht, posti i kalon kandidatit të renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG