Mianmari po fillon të lëshojë pe para presionit ndërkombëtar për të riatdhesuar më shumë se 700 mijë refugjatë Rohyngya që jetojnë në Bangladesh. Veprimtarët e të drejtave të njeriut shqetësohen nga ana tjetër se angazhimi i këtij vendi është thjesht sipërfaqësor.
Mianmari shtoi përpjekjet pak ditë më parë kur sekretari i jashtëm i përhershëm i atij vendi U Myint Thu udhëhoqi një delegacion prej 10 anëtarësh në bisedimet me përfaqësuesit e refugjatëve në Kutupalong, kampi më i madh i refugjatëve në botë.
Përfaqësuesit e popullsisë Rohingya vunë si kusht shtetësinë dhe garancitë për sigurisë për kthimin e refugjatëve etnikë. Nga ana tjetër, delegacioni ofroi vetëm një rrugë drejt marrjes së shtetësisë, duke filluar me një kërkesë për kartë identifikimi. Por mes disave në popullsinë Rohingya egziston frika se kartat mund të përdoren për të përsekutuar më tej refugjatët myslimanë. Tashmida është refugjate myslimane e popullsisë Rohingya.
“Nuk do ta pranojmë këtë kartë të re...duam një letërnjoftim kombëtar. Nëse na japin shtetësinë atëherë do të kthehemi. Them kështu sepse po pranuam kartën që propozojnë ata dhe kthehemi, ata përsëri do të na vrasin. Kërkesa jonë është që ne të kthehemi lirisht në Mianmar sikurse komunitetet e tjera. Duhet të kthememi në shtëpitë tona dhe vendin tonë lirisht. Popullsia jonë duhet të punësohet në çdo sektor të qeverisë, si në ushtri, polici dhe pastaj do të kthehemi.”
Phil Robertson, zëvendës drejtor i organizatës Human Rights Watch për Azinë, tha për Zërin e Amerikës se Mianmari në thelb po bën lojëra me diskutimet për shtetësinë. Refugjatët e kundërshtuan një ofertë të bërë në tetor për riatdhesim.
Popullsia myslimane Rohingya u detyrua me forcë të largohej nga shteti Rakhine drejt Bangladeshit fqinj pasi ushtria e Mianmarit ndërmori një fushatë shkatërrimtare në gushtin e vitit 2017, si reagim ndaj sulmeve kundër posteve të sigurisë shtetërore nga militantët e kësaj popullsie.
Dëshmitë e shumë të mbijetuarve për vrasje, përdhunime dhe zjarrvënie kanë bërë që Kombet e Bashkuara të akuzojnë ushtrinë e Mianmarit për një goditje me qëllim gjenocidi.
Shumica budiste e Mianmarit e konsideron popullsinë Rohingya si emigrantë të jashtëligjshëm nga Bangladeshi.
Facebook Forum