Lidhje

Intensifikohet lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës


Tregjet financiare të Shteteve të Bashkuara u ndeshën me luhatje të ndjeshme këto ditë. Të hënën, tregjet pësuan rënien më të madhe që nga dhjetori. Këshilltari i lartë ekonomik i Presidentit amerikan Donald Trump tha se Shtëpia e Bardhë ka një avantazh më të madh ndaj Kinës tani që mosmarrëveshjet tregtare dhe monetare me të janë thelluar. Komentet e këshilltarit ekonomik Larry Kudlow pasuan njoftimin e Pekinit se Kina nuk do të blente më produkte bujqësore amerikane.

Tregjet amerikane të aksioneve mbetën të paqëndrueshme një ditë pasi pësuan rënien e tyre më të thellë të vitit. Rënia erdhi në klimën e lajmeve nga Kina, siç ishte zhvlerësimi i monedhës së saj, juani.

Të martën, Këshilltari Ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Larry Kudlow u tha gazetarëve se Presidenti Trump ende dëshiron një marrëveshje tregtare me Kinën.

"Pikëpamja e presidentit ka qenë gjithmonë se ne duhet të negociojmë në mirëbesim. Ne duam të vazhdojmë të negociojmë në mirëbesim me kinezët. Ai është i zhgënjyer me vendimin kinez për të mos blerë produktet bujqësore amerikane. Ai është këtu për të mbrojtur ekonominë e Amerikës."

Më parë, Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se ndërmarrjet vendase kanë ndalur blerjen e produkteve bujqësore amerikane. Masa ishte një përgjigje ndaj njoftimit të administratës së Presidentit Trump javën e kaluar për vendosjen e tarifave të reja amerikane ndaj mallrave kineze me vlerë 300 miliardë dollarë.

"Është një vit i vështirë për bujqësinë në Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj se efekti i tarifave të zgjatura kineze ndaj eksportet bujqësore të Shteteve të Bashkuara dhe përtej tarifave, sinjali që qeveria kineze po u dërgon blerësve vendas është që ata duhet të shikojnë diku tjetër", tha zoti Adams.

Shtëpia e Bardhë ka krijuar një paketë ndihmash prej 16 miliardë dollarësh për fermerët e dëmtuar nga lufta tregtare SHBA-Kinë.

Presidenti njoftoi në Twitter se do të angazhojë edhe më shumë dollarë të taksapaguesve për të ndihmuar fermerët vitin e ardhshëm, nëse është e nevojshme.

Të hënën, Departamenti amerikan i Thesarit e klasifikoi Kinën si një "manipuluese të monedhës" dhe kërcënoi të përfshijë Fondin Monetar Ndërkombëtar në këtë çështje.

"Ngjarjet e kësaj jave kanë qenë një përshkallëzim i prekshëm i konfliktit tregtar SHBA-Kinë, por këto zhvillime nuk ishin të befasishme. Qeveria amerikane dhe ajo kineze kanë pozicionuar veten gjatë muajve të fundit për një ngërç të mëtejshëm ose madje edhe përshkallëzim të këtij konflikti. Të dyja qeveritë duket se po presin që qëveria tjetër të bëjë lëshime e para", thotë Bill Adams nga kompania e Shërbimeve Financiare, PNC.

Përveç ndikimit negativ në tregjet financiare, lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po dëmton perspektivat e rritjes në dy ekonomitë më të mëdha të botës, dhe shumë vendeve të tjera anembanë globit.

Një delegacion nga Pekini është planifikuar të takohet me zyrtarët amerikanë muajin e ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG